E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalkutë - Tiranë e kthim

Midis mënyrës se si po shpenzohen dhe do të shpenzohen edhe më tej fonde nga arkat e një shteti të varfër për të përjetësuar një shqiptare dhe mënyrës se si i shpenzonte fondet kjo shqiptare për të ndihmuar të varfrit e Indisë dhe të të gjithë botës ka një ndryshim rrënjësor


Debati që u hap këto ditë për memorialin e Nënë Terezës pranë sheshit me të njëjtin emër ishte i pashmangshëm.


Midis festës që është ngritur prej javësh në Shqipëri dhe personit të festuar ka një mospërputhje të madhe. Midis mënyrës se si po shpenzohen dhe do të shpenzohen edhe më tej fonde nga arkat e një shteti të varfër për të përjetësuar një shqiptare dhe mënyrës se si i shpenzonte fondet kjo shqiptare për të ndihmuar të varfrit e Indisë dhe të të gjithë botës ka një ndryshim rrënjësor i cili ka të bëjë me vetë shpirtin e gjësë.


Kushdo që kalon këto ditë në sheshet dhe rrugët kryesore të Shqipërisë, lexon në banderola e postera të stërmëdhenj - për shembull në ballin e Muzeut Kombëtar - "Nën kujdesin e veçantë të kryeministrit SALI BERISHA viti 2010, kushtuar Nënë Terezës". Emri Sali Berisha është shkruar me gërma shumë më të mëdha sesa emri i së përkujtuarës Nënë Tereza.


Në të vërtetë kjo flet për gjithçka dhe shpjegon gjithçka.
Megjithatë mendoj që s'është keq të kujtohen disa gjëra, për të kuptuar se ç'po ndodh me këtë emër dhe ç'mund të ndodhte ndryshe.


Kushdo i huaj që vjen në Shqipëri, zbret në aeroportin Nënë Tereza. Kur del me makinë nga aeroporti në drejtim të kryeqytetit i vjen rrotull një skulpture që mund t'i ngjajë çdo gruaje shtatlartë të rruzullit me një shami mbi kokë, por jo shenjtores së vockël të Kalkutës; ndërsa këtë e kemi parë dhe e kemi përfytyruar gjithmonë të kërrusur, sikur kërkon t'u afrohet sa më shumë fëmijëve dhe sakatëve të kësaj bote, skulptura e Rinasit e ka drejtuar shtatin qiri në pritje të shtytjes që do ta ngjisë flurim në kozmos.


Duart e puqura mbi kraharor duken sikur luten jo për të tjerët, por që shkëputja të kryhet me sukses. Megjithë këtë mospërputhje të parë, efekti është arritur: të gjithë e kanë kuptuar që Nënë Tereza ka qenë shqiptare dhe mendimi i pagëzuesve nuk ka qenë i keq: gjersa nuk kemi një figurë tjetër kaq botërisht të njohur e të çmuar, le t'i japim vetes pak mburrje dhe një simbol identifikimi.


Të huajt pastaj qëllojnë që e vazhdojnë rrugën e tyre në Tiranë prej Sheshit Skënderbej bulevardit përposhtë. Këtu mbërrijnë te një shesh që quhet Nënë Tereza. Ai kufizon me Pallatin e Kongreseve, selinë e presidencës, Akademinë e Arteve, godinat universitare dhe një fast-food të madh në çadër.


E shumta këtu i huaji e ka humbur fillin ose mundësinë e lidhjes së një gruaje bamirëse që e shkoi të shumtën e jetës në bidonvilet e Indisë me qendrën ose boshtin e një kryeqyteti disi kaotik jo vetëm në planifikimin urban dhe njerëzit që e popullojnë, por edhe në konotacionet e ndryshme historike që i mbivihen vetë këtij bulevardi.


Por le të kujtojmë pak jetën e Agnes Bojaxhiut. Ajo u lind e u rrit në një familje shqiptare të Shkupit. Të atin, Kolën, arkitekt që pati projektuar ndër të tjera një teatër në Shkup, thuhet se e helmuan në vitin 1919 në Beograd.


E ëma Dranja, ishte një shqiptare e mirë që pati ndihmuar disa njerëz të vobekët e të braktisur, ndoshta shembulli i parë për Agnesin. Në moshën 18-vjeçare Agnesi vendos të dorëzohet murgeshë dhe hyn në urdhrin e motrave të Loretos, së pari në Irlandë më vonë në Indi.


Është shumë domethënës letërkëmbimi i kësaj kohe me të vëllanë, Llazarin, i cili kishte mbaruar një shkollë oficerësh në Tiranë dhe krenar që kishte marrë gradën toger, përgatitej ta vazhdonte karrierën më tej. I tronditur nga vendimi i së motrës, Llazari i shkruante "Si mund të bëhesh murgeshë? A e di se ç'do të thotë, do të th


otë që të sakrifikosh vetveten për gjithmonë. Do që të futesh në varr e gjallë?"
Ndërsa e motra i përgjigjej: "Mos u hiq kaq i rëndësishëm pse u bëre oficer i një mbreti të dy milionë njerëzve. Edhe unë jam oficere, por në shërbim të mbretit të rruzullit. Kush ka të drejtë nga ne të dy?" (cituar te Ch. Feldmann "Mutter Teresa" Freiburg 1997, f. 15)


Kjo përgjigje është emblematike për atë që do të përfaqësonte më vonë Nënë Tereza. Nëse ka një profesion ose vokacion ku rrënjët etnike e humbasin thuajse krejt rëndësinë, ky është përkushtimi ndaj të mjerëve të kësaj bote.


Edhe te një artist, bie fjala te një këngëtare opere, te një koreograf, madje dhe te një aktor që e ka lënë gjuhën e shtëpisë për hir të një gjuhe të madhe të suksesit, sikundër Aleksandër Moisiu, do të kishte më shumë rëndësi "komponenti shqiptar" (ai kishte diellin e Jugut në zërin, në pasionin e tij, etj.) sesa te Nënë Tereza.


Kam përshtypjen se një nga arsyet që Agnes Bojaxhiu iu dorëzua murgeshë misionit të Bengalit në moshën 18-vjeçare është edhe pse ka dashur t'i shpëtonte ambientit mbytës të një qyteti provincial ballkanik, ku nacionalistët mund të të helmojnë babanë, ku fanatizmi endet me ferexhe në çdo cep.


Thirrja e fortë që ndjente së brendshmi e shtynte të braktiste pikërisht atë vorbull ku njëri thoshte jam shqiptar, tjetri jam maqedon, i treti jam musliman, i katërti s'jam gabel e kështu me radhë.


Ngaqë në zhurmën që bëhet këto ditë me banderola, koncerte, konkurse sheshesh etj. harrojmë se për cilin person konkret bëhet fjalë, le ta kujtojmë shkurt: "Për herë të parë Nënë Tereza hyri në një sllam, në një bidonvil të Kalkutës ditën e Krishtlindjeve 1948. Ishte krejt e vetme; zuri "me qira" për 5 rupie një kasolle.

Të nesërmen mund të dëgjoje se si po u mësonte pesë fëmijëve shkronjat e para të alfabetit bengal. Në kasolle nuk kishte as tryezë e as karrige, aq më pak dërrasë të zezë ose shkumës.


Nënë Tereza i shkruante gërmat me shkop mbi dheun e dyshemesë. Ish-rektorja e një shkolle të lartë për të pasurit e Kalkutës u jepte tani mësim disa fëmijëve në geto, midis minjve e buburrecave. Vapa në kasolle ishte e padurueshme: 45 gradë celcius, me një lagështi ajri prej 95 përqind.


Rrobat i ngjiteshin në trup, do të tregonte ajo më vonë, gjithçka ishte e pisët, rrugët pa kalldrëm e pa kanalizime, njerëzit e veshur me rrecka. Kudo minj e kandrra, fëmijët kishin morra në trup. Mirëpo ajo këtu ndihej mirë, sepse këtu jetonin motrat dhe vëllezërit që Jezui i donte më shumë...


Mbas tri ditëve ishin mbledhur në atë kasolle 25 fëmijë, kurse në fund të vitit 41. Disa vjet më vonë në po të njëjtin vend u krijua një shkollë me më shumë se 500 fëmijë." (T. T. Mundackel "Der Engel der Armen", Mynih 2003, 39-40)


Harrojmë pastaj edhe ç'ndodhi më vonë në Shqipëri, se ç'raport pati Nënë Tereza pas lufte me një vend ku kishte lënë jo vetëm prejardhjen por edhe nënën me të motrën. Drane dhe Age Bojaxhi jetuan në një shtëpi përdhese të Tiranës, të varfra e gjysmë të përndjekura, për shkak të Llazarit që mbeti në Itali pas lufte si "i arratisur monarkist".


Kushdi sa herë bëri kërkesë Nënë Tereza t'i vizitonte për së gjalli, por edhe pasi vdiqën, më 1972 e 1973 që t'ua shihte varret në Tiranë, kanë ndërhyrë madje pranë Enver e Nexhmije Hoxhës personalitete të larta si ministri i jashtëm frëng Dë Myrvil, më kot të gjitha.


Pas një sjelljeje të tillë të vendit amtar, të shumtë kanë qenë ata që i kanë kthyer kurrizin krejt, kujtoj personalitete të mëdha që kanë ndërruar deri dhe gjuhën sikurse filozofi (ish)austriak Karl Popper ose filozofi tjetër (ish)gjerman Herbert Marcuse. Ndryshe Agnes Bojaxhi që e tregoi se nuk kishte asgjë me vendin, ku erdhi në rastin më të parë qysh më 1990, madje dha një ndihmë tepër të veçantë në periudhën e përmbysjeve atë vit dhe vitin e mëpasëm.


Veçse gjithë kjo histori, që është më shumë një histori dëbimi dhe brenge sesa dashurie dhe shkëmbimi, duhet t'i bëjë vendimmarrësit t'i thërrasin mendjes e të jenë më të kujdesshëm kur bërtasin atë emër, me të cilin ata vetë nuk kanë të bëjnë aspak dhe vendi vetëm në mënyrë të tërthortë.


Ja që kështu është në histori, njerëzit e shquar lidhen pikësëpari me vendin ku kanë bërë histori, prandaj Nënë Tereza quhet e Kalkutës dhe jo e Tiranës, madje as e Shkupit, sikurse quhet Shën Hieronimi i Sirisë ose i Betlehemit dhe jo i Ilirisë, sikurse quhet Zhan d'Arka e Orleanit dhe jo e Vosgeve, Bonaparti i Francës dhe jo i italianëve të Korsikës, Ionesko i teatrove të Parisit dhe jo i Slatinës së Rumanisë, Marubët e Shkodrës dhe jo të Venecies.


Në qoftë se duam ta përjetësojmë emrin e Nënë Terezës në njërin prej kryeqyteteve të shqiptarëve, atëherë mundësisht jo në sheshe e dhoma xhami ku kujtimi i saj do të rrijë përjetësisht përballë një stadiumi futbolli dhe kafeneve me bjerraditësit e zakonshëm, por në vende që do t'i shkonin jetës dhe frymës së saj.


Zonjat Liri Berisha e Jozefina Topalli le t'i alokojnë fondet e caktuara për memorialin prej qelqi në ngritjen dhe mbajtjen e një strehe vorfnore, të një jetimoreje a të një shkolle për handikapatë që të mbajë emrin Nënë Tereza. I shoqi i së parës dhe çdo politikan tjetër shqiptar të heqë dorë sa më parë nga shfrytëzimi i një emri aq të pastër për ekzibicionizëm politik dhe nacionalizëm vulgar.


Përmbledhje


Zonjat Liri Berisha e Jozefina Topalli le t'i alokojnë fondet e caktuara për memorialin prej qelqi në ngritjen dhe mbajtjen e një strehe vorfnore, të një jetimoreje a të një shkolle për handikapatë që të mbajë emrin Nënë Tereza.


I shoqi i së parës dhe çdo politikan tjetër shqiptar të heqë dorë sa më parë nga shfrytëzimi i një emri aq të pastër për ekzibicionizëm politik dhe nacionalizëm vulgar.


"Ish-rektorja e një shkolle të lartë për të pasurit e Kalkutës u jepte tani mësim disa fëmijëve në geto, midis minjve e buburrecave. Vapa në kasolle ishte e padurueshme: 45 gradë celcius, me një lagështi ajri prej 95 përqind. Rrobat i ngjiteshin në trup, do të tregonte ajo më vonë, gjithçka ishte e pisët, rrugët pa kalldrëm e pa kanalizime, njerëzit e veshur me rrecka.


Kudo minj e kandrra, fëmijët kishin morra në trup. Mirëpo ajo këtu ndihej mirë, sepse këtu jetonin motrat dhe vëllezërit që Jezui i donte më shumë... Mbas tri ditëve ishin mbledhur në atë kasolle 25 fëmijë, kurse në fund të vitit 41. Disa vjet më vonë në po të njëjtin vend u krijua një shkollë me më shumë se 500 fëmijë."


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›