“Nata e Bardhë”, mijera te rinj festojne ne Tirane
TIRANE- E gjithë Tirana gumëzhin nga njerëzit. Nata e bardhë është kthyer në një festë tradicionale për Tiranën, ku syri të zë jo vetëm të rinj e të reja por edhe moshatarë të cilët i gëzohen atmosferës festive në të gjitha sheshet kryesore të Tiranës. Gjatë kësaj nate, qyteti po jeton me të gjitha hapësirat e tij historike, muzetë, por edhe teatrot, sallat e kinemasë dhe dyqanet, me aktivitete që i kanë dhënë një tjetër kuptim rrugëve dhe shesheve, një konfiguracion që ka bashkuar të gjithë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, në një ngjarje spektakolare, me kënaqësi dhe entuziazëm, duke krijuar një klimë vërtet të pazakontë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, si çdo vit tjetër ka pritur në zyrën e tij bashkëqytetarë të shumtë, të cilët kanë vizituar gjithashtu edhe ambientet e këtij institucioni. Më pas Kryebashkiaku ka qenë i pranishëm në disa nga aktivitetet që Bashkia e Tiranës ka organizuar në qëndrat kryesore të kryeqytetit.
Duke uruar qytetarët e Tiranës, Kryetari i Bashkisë u shpreh: “Dua t’u uroj Gëzuar 28-29 Nëntorin të gjithëve dhe dua t’u uroj një “Natë të Bardhë” të gëzuar, në radhë të parë fëmijëve dhe më të moshuarve, pastaj edhe të tjerëve, duke dëshiruar që “Nata e Bardhë” të jetë njëkohësisht edhe një mundësi për fëmijët që të ëndërrojnë, për të moshuarit që të shikojnë me kënaqësi nipërit dhe mbesat e tyre, në një Shqipëri të lirë dhe për të gjithë të tjerët që të punojmë sëbashku edhe më shumë që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë si kjo “Natë e Bardhë”.
Nga perëndimi në agim, Tirana po jeton natën e madhe, “Natën e Bardhë”. Është hapur kështu, sipari i qytetit që nuk shkon të flejë, i ndjekur nga dritat dhe muzika dhe që ka jetuar sipas një ritmi, i lirë nga zhurmat nga mendimet, nga pesha e aktiviteteve të përditshme.
Aktivitetet e nates se sotme
“Kërcejnë së bashku” (Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”)
Një pistë gjigande, e pozicionuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka qenë risia e mbrëmjes. Balerinë profesionistë kanë ftuar në vallëzim, spektatorë e kalimtarë, duke i bërë pjesë aktive të shoë-t të improvizuar e interaktiv.
“Si unë e shoh” (Sheshi “Skënderbej”)
Në sheshin “Skënderbej”, rreth pavionit të ekspozimit të Planit Rregullues, një ekspozitë e hapur i është dedikuar pikturës, grafikës, fotografisë – arteve pamore.
“Të lindur për të lexuar” (lulishtja pranë “Skënderbeut”)
Të lindur për të lexuar, fëmijët kanë larguar gjumin dhe kanë qenë protagonistë të përrallave, vjershave e tregimeve, në lulishten pranë “Skënderbeut”, që ka qenë më e mbushur se asnjëherë, me fëmijë dhe prindër. Nën dritat e projektorëve shumëngjyrësh, fëmijët kanë qenë të shoqëruar dhe janë ftuar për tu bërë protagonistë, nga personazhet më të dashura kukulla, dhe ashtu si në përralla, qielli është mbushur me flluska e tullumbace.
Moderatorët e pranishëm në të gjitha skenat e ndërtuara për fëmijët, kanë lexuar pjesë të ndryshme të njohura për fëmijë, por gjithashtu edhe janë kujdesur që të gjithë të mund të përfshihen, duke lexuar apo recituar pjesët e tyre të preferuara.
“Ndjesi të bardha” (Sheshi tek “Ushtari i Panjohur”)
Në një nga sheshet urbane më të reja të Tiranës, sheshi tek “Ushtari i i Panjohur”, të rinj të veshur me të bardha, kanë ndërtuar një skenë artistike. Nën tingujt e një pianoje, janë recituar poezi të autorëve më të njohur shqiptarë dhe të huaj, por edhe krijime të vetë të rinjve. Janë vënë në skenë pjesë teatrale, po nga të rinjtë. Një kuartet harqesh ka qenë i pranishëm herë pas here në skenë, për të luajtur pjesë të ndryshme klasike.
Muzeu i flamujve (Lulishtja tek “Vëllezërit Frashëri”)
Tek lulishtja “Vëllezërit Frashëri”, është realizuar edhe këtë vit, një muze me copëza të historisë sonë, rrethuar nga zjarre që kanë ngrohur mbrëmjen. Tematika i është kushtuar 100 - vjetorit të himnit të flamurit kombëtar.
“Tirana Rrok” (në zonën e Bllokut)
Rinia e kryeqytetit, është bërë pjesë e një atmosfere të ndezur, në zemër të zonës së Bllokut. Grupe të shumta rroku kanë qenë protagonistë, në skenën që është ndërtuar enkas për ta. Të gjithë të apasionuarit e kësaj rryme muzikore, kanë pasur mundësi të ndjekin koncertin “live”, për gati 4 orë. Por përpara se grupet profesioniste të rrokut të performonin, kjo skenë ka mirëpritur edhe artistët e “hip – hop”-it, shumë të pëlqyer nga të rinjtë dhe adoleshentët.
“Free Hugs – Përqafomë” (në rrugët e Tiranës)
“Free Hugs” ka qenë katalizatori që i ka shtuar kësaj mbrëmjeje, ngrohtësinë, kujdesin, ndjenjat njerëzore. Shumë të rinj, të veshur me bluza dhe pankarta: “Përfaqomë” kanë ecur nëpër rrugët e qytetit, për të ndarë me kalimtarët, disa momente njerëzore. Nëse të gjithë do të ndaleshin dhe t’i dedikonin fare pak minuta nga koha e tyre, një personi që ka nevojë për ta, që është vetëm dhe ka nevojë për një fjalë të ngrohtë, apo vetëm një përqafim..., atëherë do të kishte më shumë buzëqeshje, më shumë gëzim, më shumë dashuri. Dhe për të bërë këtë, duhet fare pak... një përqafim. Prandaj, këta të rinj kanë ideuar ndërtimin e një rrjeti antarësh, i cili është pro kësaj nisme: “Përqafomë”.
KONCERTI I MADH
Në Sheshin “Skënderbej”, në shkallët e Pallatit të Kulturës, është zhvilluar koncerti i përvitshëm, me muzikë të lehtë, moderne e turbo - folk , me këngëtarë të njohur në mbarë trevat shqiptare.
Nata e Bardhe, Durrësi i bashkohet Tiranës
DURRES- Atmosfere e ndezur ne qendër te Durrësit pas nisjes se Natës se Bardhe. Festimet ne qytetin bregdetar kane nisur qe prej orës 19 te mbasdites per te vazhduar deri ne orët e para te mëngjesit. Nen ritmet e muzikës dhe nen shoqërinë e njeri tjetrit me qindra njerëz janë mbledhur për te festuar sebashku e për ta bere natën dite. Shume prej bareve dhe klubeve te nates kane mirëpritur duke mbajtur hapur ambientet e tyre per te gjithë ata qe festojnë natën e bardhe. Shume nga firmat e ndryshme te agrobiznesit kane ofruar me çmime te ulta produktet e tyre duke ofruar për te gjithë kënaqësi dhe me pak shpenzim ne nje nate siç është nata e bardhe. Këngëtare te muzikës shqiptare kane ndezur natën duke shtuar me tepër adrenalinenen tek qytetaret durrsak dhe jo vetëm, kane performuar duke kërcyer bashke me ta nen te njëjtat ritme.
(Orjeta Zhupa/ BalkanWeb)