E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kallëzim penal për Erjon Veliajn dhe vëllanë e tij

Mbërrin në dyert e prokurorisë evazioni fiskal dhe aktiviteti i paligjshëm i kreut të “Mjaft” dhe “G 99”

Një tjetër kallëzim penal në adresë të kreut të kreut të Partisë G 99, Erion Veliaj është regjistruar zyrtarisht dje. Vëllezërit Veliaj u kallëzuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për evazion fiskal në shifra qindra miliona lekë si dhe u plotësuan të dhëna për zhdukjen e Fondacionit MJAFT bashkë me 300 mijë euro të Kreditimit të Punësimit të të rinjve shqiptarë si dhe ushtrimin e një veprimtarie të paligjshme kreditimi të ndaluar qartazi nga legjislacioni shqiptar.  Ky kallëzim erdhi nga Lëvizja “Zgjohu”, nëpërmjet avokatit Altin Goxhaj në cilësinë e qytetarit që ka dijeni për një shkelje ligjore dhe ka detyrimin për ta denoncuar. “Tashmë, pas një procesi të gjatë të dekonstruksionit të skemës korruptive të shkretimit të shoqërisë civile nga një klan i ngushtë të spinoff-eve, Veliaj përfundoi në Prokurori pas një historie të gjatë abuzimesh me fondet e shoqërisë civile të ofruara bujarisht nga donatorët e huaj për të ndihmuar zhvillimin e demokracisë dhe rininë shqiptare në veçanti. Janë 5.4 milionë Euro që ka thithur Erion Veliaj nëpërmjet 9 ‘Mjaftëve të tij të regjistruar apo gjysmë të regjistruar juridikisht me emra të ndryshëm me qëllim krijimin e një mjegulle për të thithur miliarda lekë një pjesë e të cilave u faturuan nga biznesi informal ‘Grafik Propaganda’ i të vëllait të Veliajt duke realizuar kështu n jë skemë spektakolare të kalimit të parave nga një donator tek një shoqatë pastaj tek një biznes dhe kështu përfitimet kanë kapërcyer çdo standard të njohur eksperienca e deritanishme. Këta maestro të grabitjes së parave të shoqërisë civile për qëllime përfitimi e kanë kthyer skemën e tyre në një model që ja vlen të studiohet në katedrat e fakulteteve të drejtësisë pasi ky është modeli i politikës së re. Veliaj nuk është i vetmi në këtë skemë pasi jo vetëm ai ka krijuar biznes për të kaluar paratë e shoqërisë civile ngjajnë dorë në tjetrën. Kallëzimi penal për evazion fiskal i familjes Veliaj, do të sjellë një histori investigimi në dhjetra numra bankarë që kanë qarkulluar paratë e shoqërisë civile shqiptare dhe janë kontrolluar nga klani i pionierëve të Edi Ramës me Veliajn në krye”, shpjegoi dje avokati Altin Goxhaj.

Para një jave u denoncua biznesi i të vëllait të Erion Veliajt “Grafik Propaganda”, një biznes që nuk figuron në asnjë regjistër gjykate apo QKR, një emër që nuk figuron në asnjë derdhje taksash apo detyrimesh të tjera fiskale pranë institucioneve fiskale të shtetit shqiptar. Ndërkohë vetë Erion Veliaj pavarësisht pagesave të larta sipas tij në vite, nuk rezulton që të paguajë as detyrimet shoqërore pranë institucioneve përkatëse shtetërore, duke e përcaktuar punën e tij në 6 vjet pranë “Mjaftëve” të tij, si “punë në të zezë”.

“Arsyeja pse Veliaj refuzon të tregojë sa para ka marrë dhe si i ka shpenzuar ato, lidhet me 3 motive të forta. E para, Veliaj nuk tregon dot se ka përfituar mbi 5.4 milion euro nga komuniteti ndërkombëtar, kontribute këto për shoqërinë civile shqiptare, sepse të gjithë do të kuptonin se pse sot në Shqipëri nuk ka më asnjë qendër rinore që të ofrojë shërbime për rininë. E dyta, Veliaj nuk tregon dot se si 5.4 milion euro janë grabitur drejtpërdrejt nëpërmjet bizneseve familjare të klanit Veliaj (Grafik Propaganda, C&PR Production, ACG shpk, etj). E treta, sepse Veliaj, një pjesë të këtyre parave të dhëna nga donatorët për të mbështetur shoqërinë civile shqiptare janë kanalizuar për të financuar në mënyrë të paligjshme Partinë private të tipit OJF, G99. Ndonëse kur erdhi në krye të Lëvizjes ‘Mjaft’, Veliaj u hoq si një idealist që nuk i interesonte politika. Me hyrjen e Veliajt në politikë u zhdukën disa lëvizje civile, me në krye Lëvizjen MJAFT, organizatë e cila pasuroi ‘yjet e politikës së re’”, shpjegoi më tej avokati Altin Goxhaj. Një ndër pikat më të errëta të “Mjafti”-it është “zhdukja” pa lënë gjurmë e vetë Fondacionit, bashkë me qindra mijë eurot e tij, të cilat i mbeten Prokurorisë t’i verifikojë në numrin që kontrollon Erion Veliaj në San Francisko, “145 Swiss Ave, San Francisco, CA 94131 (Payable to BYL, memo Mjaft)”. Ndërkohë, sipas Goxhajt, mësohet se, “një ndër arsyet kryesore që ky Fondacion u zhduk pa lënë gjurmë, është edhe se Fondacioni ‘Mjaft’ ka gëlltitur një shumë të pallogaritshme parash nga ‘Balkan Children and Youth Foundation’. Ajo që të bën më shumë përshtypje në qarkullimin e qindra mijë eurove të Fondacionit ‘Mjaft’, është loja e pokerit financiar të Veliajt me shokë e shoqe, të cilën do ta kenë mësuar nga kryetarja e Bordit të Fondacionit ‘Mjaft’, Milva Ekonomi”. 

Problemi më i madh që kishte projekti “Biznesi Rinor Shqiptar” ishte mënyra e harxhimit të parave. Ky projekt synonte dhënien e mikrokredive për të rinjtë, para të cilat do t’u jepeshin me grande deri në 4000 euro për çdo biznes të ri dhe më pas me paratë që do të kthenin së bashku me përqindjet e të kredituarve të parë do të kreditoheshin të tjerë të rinj dhe kështu me radhë do të krijohej një Bankë Rinore, e cila do të vazhdonte të funksiononte si subjekt i shoqërive të mikrokreditit. Kjo fushë përcaktohet si dhënie kredish dhe fondacionet që japin para me përqindje klasifikohen nga ligji shqiptar si piramida, nëse nuk kanë një licencë të dhënë nga Banka e Shqipërisë. “Fondacioni ‘Mjaft’ rezulton nga të dhënat e dokumentuara se, nuk ka plotësuar asnjë kërkesë për t’iu njohur e drejta e dhënies së mikrokredive pranë Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, as sipas ligjeve të para shkurtit 2007 dhe as ato pas shkurtit 2007. Fondacioni Mjaft nuk është licencuar nga Banka e Shqipërisë për të dhënë mikrokredi. Ndaj dhe për këtë qëllim, këto fonde iu duheshin besuar një institucioni të licencuar, por Veliaj nuk mund të pranonte që t’i ikte nga dora një thelë kaq e majme, që më pas do ta ndante me të vëllanë, Maznikun dhe Fugën. Në vitin e parë, shuma prej 55,800 dollarësh amerikanë iu dha 15 të rinjve, të cilat duhej ta kthenin me përqindje më të lartë për të shërbyer si kreditim i besueshëm dhe jashtë çdo risku për të tjerë të rinj. Personat që morën shumën ishin anëtarët e Lëvizjes ‘Mjaft’, të cilët në kundërshtim me ligjin për OJF-të, e kthyen organizatën e tyre në një organizatë që ndan fitime. Por ajo që përcaktoi konfliktin më tipik të interesit, ishte kreditimi nga Erion Veliaj, i vëllait të vet, Arbër Veliaj, 18-vjeçar, i cili edhe mori që në fillim grandin maksimal që lejohej prej 4000 eurosh. Ky operacion i paligjshëm financiar është dhe i dënueshëm nga legjislacioni shqiptar. Fondacioni ‘Mjaft’ zhduku 300 mijë euro të Familjes Mbretërore Angleze dhe të disa donatorëve të tjerë, para që u dhanë për të mbështetur punësimin rinor në Shqipëri. Në vetë faqen e tyre zyrtare rezulton paraqitja e të dhënave komprometuese se kush kontribuoi për paratë e mikrokreditit të paligjshëm rinor në Shqipëri, kush i mori dhe mbi të gjitha në formë spektakolare, tregohet Arbër Veliaj, duke marrë paratë në një ceremoni zyrtare nga vetë i vëllai, Erion Veliaj”, përfundon sqarimin e tij, kreu i lëvizjes “Zgjohu”, Altin Goxhaj. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›