E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha në Elbasan: Çdo fshat do të afrohet me akset nacionale

Kandidat për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha, gjatë turit elektoral në komunën e Mollasit, premtoi se çdo rrugë e saj dhe e krejt zonës së Klosit, do të asfaltohet brenda 12 muajve, të mandatit të dytë qeverisës të PD-së. I shoqëruar nga kandidati për deputet Agim Boja, z. Basha zhvilloi takime me banorë të zonës në qendër e më pas në tregun e kësaj komune. Basha deklaroi se është hapur tenderi për rikonstruksionin e aksit rrugor nga Klosi deri në qendër të Mollasit dhe se kjo rrugë do të asfaltohet sipas standardeve të infastrukturës rrugore. “Premtimi ynë është se brenda 12 muajve të asfaltimit të këtij segmenti, pjesë e projektit do të jetë edhe riasfaltimi, riveshja e gjithë aksit deri në Gostimë, ku dhe lidhet me rrugën nacionale”, tha Basha. Më tej, kandidati për deputet i PD-së, Lulzim Basha renditi disa prej prioriteteve të qeverisjes së 4 viteve të ardhshme. “Premtimi maksimal në mandatin e dytë është lidhja e çdo fshati me qendrën e komunës, me rrugë të asfaltuara dhe së shpejti këtu do të nisin punimet për t’i realizuar fjalët tona në vepra. Nëse sot kemi 24 orë ujë dhe drita, premtimi ynë madhor është se në vitin 2013 të gjitha familjet shqiptare do të kenë në çdo kohë drita, ujë 24 orë, rrugë të asfaltuara”, përfundoi Basha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›