Florjan Mima: Do të jem në Parlament zëri i të gjithë banorëve të njësisë bashkiake Nr. 1”

Florjon Mima, kandidati për Deputet i Partisë Demokratike në Qarku e Tiranës në një intervistë për gazetën “55” shprehet se kontributi i tij si zëvendësministër i financave ka qenë ai i një zyrtari, pjesë e një grupi të madh ekspertësh, që inicioi e zbatoi reformat më të thella që sistemi financiar publik shqiptar kishte ndërmarrë ndonjëherë. Synimet e tij janë ato të një parlamentari të ri i cili do të përpiqet me gjithë energjitë dhe kapacitetin e tij t’ia shpërblejë forcës që e kandidoi. Në zonën të cilën Mima ka në patronazh fushata ka nisur, ajo është tejet e civilizuar, energjitë dhe zelli i njerëzve për të bërë një fushatë model janë të shumëfishuara. Mima njehet i vlerësuar në pozicionin që ka në listë, ai shprehet se ka figura që të bëjnë të mendohesh thellë dhe të ndihesh edhe në një lloj kompleksi faji që ndodhesh përpara tyre, të cilët jo vetëm nuk kanë manifestuar asnjë qejfmbetje, por në të kundërt e kanë inkurajuar në këtë sfidë të re të jetës tij.
Çfarë kontributi keni dhënë ju në postin e zëvendësministrit të financave?
Kontributi im personal në postin e zëvendësministrit të financave ka qenë ai i një zyrtari, pjesë e një grupi të madh ekspertësh, që inicioi e zbatoi reformat më të thella që sistemi financiar publik shqiptar kishte ndërmarrë ndonjëherë. Jo pa krenari përmend: prezantimin e taksës së sheshtë; heqjen e të gjitha taksave doganore për investimet kapitale si edhe prezantimin e një skeme të re shtyrjeje për to; prezantimin e një skeme të re rimbursimi të TVSH për fermerët në masën 6 për qind për TVSH që ata paguajnë në blerjet e inputeve të tyre; prezantimin e një skeme të re rimbursimi të akcizës për të gjithë agrobizneset, bizneset e peshkimit si edhe ato të përfshira në aktivitet industrial, skemë e cila zëvendësoi të gjitha të mëparshmet të provuara si abuzive e korruptive; përgjysmimin e taksave të biznesit të vogël si edhe kufizimin e së drejtës së pushteteve vendore për t’i rritur pa kufi ato; zëvendësimin e tatimit të paragjykuar me tatimin real mbi fitimin e bizneseve të vogla; shfuqizimin e rreth 20 taksave nacionale dhe abolimin total të një pjesë të tyre apo transformimin në tarifa shërbimi të një pjese tjetër etj., etj. Krahas këtyre masave të fushës së politikave fiskale kam marrë pjesë në grupet e punës që transformuan rrënjësisht administrimin fiskal ku përsëri jo pa krenari mund të përmend prezantimin e taksës on-line, deklarimin dhe pagesën e operatorëve ekonomike nga selitë e tyre pa pasur nevojë të kontaktojnë agjentet ndërmjetës doganore, minimizimin e sistemit të referencave dhe shkuarën gjithnjë e më shumë në linje me vlerën e transaktuar, verifikimin e çdo dosje personale dhe nxjerrjen e përgjegjësive për përfitimet abuzive, prezantimin dhe zbatimin e të parës amnisti fiskale në Shqipëri etj etj.
Po synimet tuaja?
Synimet e mia janë ato të një parlamentari të ri, i cili do të përpiqet me gjithë energjitë dhe kapacitetin e tij t’ia shpërblejë forcës që e kandidoi në atë pozicion tejet dinjitoz në vendet e para të listës proporcionale rajonale të qarkut të Tiranës. Ndonëse nuk flitet më për zona mazhoritare, do të jem zëri i të gjithë banorëve të zonës Nr. 1, dhe do të përkushtohem me mish e me shpirt që krahas ligjeve të mira, madje shumë të mira që parlamenti do të miratojë, të zgjidh edhe mjaft nga hallet e problemet me të cilat përballen banorët e kësaj njësie.
Si e vlerësoni ecurinë e fushatës elektorale në Tiranë, a ka probleme apo përplasje mes partitive garuese? Në zonën të cilën unë kam në patronazh fushata ka nisur, ajo është tejet e civilizuar, energjitë dhe zelli i njerëzve për të bërë një fushatë model janë të shumëfishuara. Nuk di si ta shpjegoj fenomenin e vënë re këto ditë të para në të gjitha qendrat elektorale të PS-së, ku mungojnë vullnetarët, ka apati e madje njerëzit konstatojnë se shumicën e kohës ato janë të mbyllura dhe pa aktivitet. Gjithsesi këto janë punë të kampit përballë, mua me intereson më shumë pjesa blu dhe vërej se ajo është vërtet një uragan për sa i përket energjisë pozitive të çliruar. Nuk kemi pasur asnjë përplasje, ngacmim apo problem tjetër. Madje në daljet tona në popull më ka ndodhur të jem gjendur ballë për ballë me kandidatin e LSI-së në zonë, me të cilin jo vetëm unë, por edhe simpatizantët tanë jemi takuar, kemi shtrënguar duart, i kemi uruar suksese njëri-tjetrit, gjest i cili është mirëpritur nga të gjithë kalimtarët prezent në atë vend.
Si e shikoni emrat që garojnë përkrah jush në Tiranë?
Ndjehem tejet i nderuar nga pozicioni im në listë, por kjo vetëm sa më obligon për më shumë punë, mund e djersë, pasi lista, pas pozicionit Nr. 8 ka mjaft individë që janë vlera të shtuara jo vetëm për Tiranën, por edhe për kombin. Ka figura që të bëjnë të mendohesh thellë dhe të ndihesh edhe në një lloj kompleksi faji që ndodhesh përpara tyre, të cilët jo vetëm nuk kanë manifestuar asnjë qejfmbetje, por në të kundërt më kanë inkurajuar në këtë sfidë të re të jetës sime. Kjo është pjesë e dialektikës së zhvillimit dhe rifreskimit të kësaj partie pasi me ritmet e përtëritjes të vëna re, shumë shpejt unë do të jem pjesë e të vjetërve të cilët do të zëvendësohen dora-dorës nga të rinj të mrekullueshëm që do ta çojnë edhe më përpara emrin, rolin dhe misionin historik të Parisë Demokratike.
...