E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kallëzim penal për Ylli Pangon, shpërdoroi 100 mijë dollarë

ylli-pangpDrejtori i Përgjithshëm të Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë  dhe Inovacionit, Ylli Pango, është kallëzuar penalisht nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kjo, për shkak se Pango akuzohet për shpërdorimin e një shume prej 100 mijë dollarë.

Ja shkeljet që janë konstatuar nga KLSH-ja

Nga auditimi në 3 projekte në bashkëpunim me subjekte private, nga 50 të miratuara gjithsej(prej të cilave 4 me subjekte private dhe të tjerat me institucione publike), u zbuluan parregullsi dhe shkelje të ligjshmërisë, me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 10,724 mijë lekë. Konkretisht:

Parregullsi dhe mungesë e dokumentacionit justifikues në shpenzimet e kryera në valutë për udhëtime e dieta jashtë vendit, si: shkresa për përballimin e shpenzimeve pa numër protokolli dhe pa datë, mungesë të ftesave dhe programit, të dokumenteve informuese mbi agjendën dhe rezultatet e shërbimeve zyrtare të kryera etj.

Mosmiratim i Rregullores së Brendshme të funksionimit të Agjencisë, në zbatim të pikës 11, të VKM-së nr. 903, datë 26.08.2009, i ndryshuar. Mungesa e rregullores, ndër të tjera ka sjellë që të mos realizohet një nga kërkesat themelore që rregullon veprimtarinë e kësaj Agjencie, të përcaktuar në pikën 9, të VKM-së të sipërcituar dhe konkretisht: AKTI, për çështjet e përmbajtjes dhe të vlerësimit të programeve e të projekteve, mbështetet me ekspertizë nga komisionet e vlerësimit të programeve e projekteve, që propozohen nga Drejtori i Përgjithshëm dhe miratohen nga Bordi Drejtues, në përputhje me rregulloren e funksionimit të kësaj agjencie. Po ashtu, mungesa e Rregullores ka bërë që anëtarët e komisioneve të vlerësimit të përzgjidhen nga Drejtori i Përgjithshëm i AKTI-së pa konkurrencë (alternativa) dhe pa u bazuar në ndonjë  kriter apo ndonjë procedurë të përcaktuar më parë.

Mosdorëzim në organin epror, në Këshillin e Ministrave dhe në Agjencinë e Prokurimit Publik të regjistrave vjetorë të parashikimit dhe realizimit të prokurimeve për vitin 2010, 2011 dhe 2012, në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në VKM-në nr. 1, datë 10.01.2007 Për Rregullat e Prokurimit Publik, i ndryshuar; moscaktimin e Koordinatorit të riskut dhe mosngritjen e Grupi të Menaxhimit Strategjik të AKTI-t, si dhe moshartimin dhe mosarkivimin e gjurmëve të auditimit të detajuara për procedurat e prokurimit publik, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 10296, datë 08.07.2010 Për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

Gjatë gjithë periudhës nën auditim, Bordi Drejtues i Agjencisë ka funksionuar pa Sekretar i cili zgjidhet nga anëtarët e tij, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999 Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike.

Për të gjitha parregullsitë dhe shkeljet financiare të konstatuara dhe të pasqyruara gjerësisht në raportin përfundimtar të auditimit, përgjegjësi direket mban Drejtori i Përgjithshëm i AKTI./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›