E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kallëzohet pronari i Ferrokromit

 

BURREL – Kallëzohet në organet e drejtësisë pronari i firmës nënkontraktore të Uzinës së Ferrokromit Burrel, Mario Apoloni. Përfaqësues të këshillit sindikal dhe sindikatës së pavarur të UFK-së Burrel deklaruan dje se biznesmeni italian do të përballet me akuzat se prishi në mënyrë të njëanshme kontratën me 120 metalurgë, 100 janë larguar nga puna dhe paguhen me gjysmën e pagës së premtuar, ndërkohë 20 të tjerë nuk përfitojnë asgjë pasi ishin të pasiguruar. Metalurgët e pasiguruar nga firma e huaj janë të detyruar t’i drejtohen gjykatës për zgjidhjen e shqetësimit të tyre. “Kemi punuar në kushte mjaft të vështira dhe kur kërkuam të dalim në asistencë, na thanë se nuk ishin paguar nga pronari sigurimet shoqërore. Tani nuk kemi rrugë tjetër veçse të hedhim në gjyq pronarin italian, i cili u largua në mënyrën më të turpshme nga vendi ynë. Ne hedhim dyshimet tona se ai kishte lidhje me njerëz të rëndësishëm, ndryshe nuk mund të ndodhte kështu, të largohej pa i hyrë gjemb në këmbë, kur dihet se ka përvetuar shuma të mëdha nga shitja e ferrokromit”, pohuan metalurgët për gazetën “Panorama”. Ndërkohë burime të sigurta informacioni bëjnë të ditur se OSSH Burrel do të kërkojë nëpërmjet organeve të drejtësisë t’i marrë atij borxhin e krijuar muajt e fundit të punës, i cili e kalon shifrën e 700 milionë lekëve. Ndërkohë mësohet se kjo firmë ka borxhe dhe te firmat private të kromit, pasi nuk i ka paguar për evadimin e sasive të madhe të mineralit nga minierat e Matit e Bulqizës. Tashmë, metalurgët nuk kanë asnjë shpresë për rikthimin e uzinës në punë, duke kërkuar me ngulm zgjidhjen nga drejtësia.                     h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›