E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkelja ligjore me faturimin aforfe

Pjetër Dema 

Numri i konsumatorëve të energjisë elektrike ka ardhur duke u rritur nga viti në vit. Pa përmendur subjektet private, konsumatorët buxhetorë dhe jo-buxhetorë, numri i konsumatorëve familjarë ka shkuar rreth një milion. Kjo lidhet me faktin se sa e rëndësishme është energjia elektrike për mbarëvajtjen e jetës së njeriut, për zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm dhe progresin e shoqërisë njerëzore në tërësi. Duke patur parasysh rëndësinë e madhe të këtij malli strategjik, karakteristikat e tij, mënyrën se si prodhohet dhe sigurohet për të plotësuar nevojat e tregut, sipas rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare në të cilat Shqipëria aderoi mbas ndërrimit të sistemit ekonomiko-shoqëror para 18 viteve, si dhe me asistencën e institucioneve ndërkombëtare të specializuara të kësaj fushe, në vitin 2003 u miratua ligji për sektorin e energjisë elektrike. Ky ligj përcaktoi detyra shumë të rëndësishme për qeverinë dhe institucionet e tjera të këtij sektori, për prodhuesit dhe furnizuesit e energjisë elektrike, me qëllim që edhe ky sektor të zhvillohej duke u bazuar në një legjislacion të përafruar me vendet e tjera të zhvilluara të rajonit dhe të Bashkimit Europian, brenda disa afateve të studiuara me kujdes.
Pak dijeni kanë qytetarët, por ky ligj cakton detyra jashtëzakonisht të rëndësishme për Entin Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike në Shqipëri. Ky rregullator, ose siç quhet ndryshe ERE, ka për detyrë të mbikëqyrë dhe të monitorojë zhvillimin e këtij sektori dhe të tregut të energjisë, të prodhojë rregullat dhe standardet e nevojshme për funksionimin e tij, të realizojë transparencë të plotë për konsumatorët dhe t’i mbrojë ata, të mos i diskriminojë me rregullat dhe vendimet që miraton, si dhe të mos lejojë diskriminimin e tyre nga furnizuesit e energjisë elektrike. Sipas ligjit, rregullatori i energjisë elektrike është i pavarur, por në fakt ky institucion gjatë këtyre katër viteve iu nënshtrua totalisht qeverisë, si të gjitha institucionet e tjera të pavarura. Më e keqja është se ky institucion arriti të bëhet palë edhe me drejtorin e kompanisë publike të njohur si KESH-i, duke vendosur për konsumatorët çmimet më të larta që kanë ekzistuar ndonjëherë, disa herë më të larta se kostot e energjisë së prodhuar në vend. Gjithashtu nga ana e tij u lejua kompania furnizuese prej më se tre vjetësh të mos lidhë me konsumatorin kontratën e re që ERE kishte miratuar, e cila kishte hyrë në fuqi me 1 janar të vitit 2006. Kjo kontratë në përputhje me standardet e vendeve më të zhvilluara të rajonit, përmbante rregullat dhe detyrimet që furnizuesi i energjisë elektrike duhej të plotësonte ndaj konsumatorit shqiptar të energjisë elektrike. ERE duke vepruar si një institucion politik në favor të drejtuesve të rinj të korporatës dhe kompanisë furnizuese – Operatori i Sistemit të Shpërndarjes të komanduar nga qeveria, në dëm të interesave të klientëve të saj, lejoi mos lidhjen e kësaj kontrate ndërmjet palëve.
Sapo qeveria e Berisha mori detyrën dhe realizoi ndryshimet e nevojshme politike edhe në institucionet që nuk vareshin prej saj, menjëherë filloi të bënte ndryshime edhe për nene të veçanta të ligjeve të caktuara që do ta shmangnin atë nga përgjegjësitë direkte, por edhe do të justifikohej për mos mbajtjen e premtimeve dhe mashtrimeve elektorale. Ligji për sektorin e energjisë elektrike e detyronte shitësin e energjisë elektrike të pajiste të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike me matës deri më 31 dhjetor 2004. Por, më 31 dhjetor 2005 qeveria e Berishës do të deklaronte se kishte vetëm 145.000 konsumatorë pa matës dhe brenda vitit 2006 nuk do të kishte asnjë klient pa matës. Pavarësisht këtij deklarimi, qeveria ndryshoi nenin 52 të ligjit për energjinë, duke i lënë në kompetencë Entit Rregullator për të përcaktuar kohëzgjatjen e periudhës që konsumatorët do të lejoheshin të furnizohen me energji pa patur matës, pra me faturim aforfe. Kjo u bë për faktin se qeveria nuk e mbajti dot premtimin dhe përgjegjësinë e saj do ta transmetonte në një institucion tjetër të komanduar prej saj.
Enti Rregullator i Energjisë Elektrike deri tani ka vendosur tri herë për shtyrjen e afatit që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes lejohet t’u faturojë aforfe energjinë elektrike klientëve të vet dhe të mos i pajisë ata me matës. Janë më shumë se tre vjet e gjysmë që kjo kompani ka arkëtuar disa qindra milionë dollarë nga shitja e energjisë elektrike me çmime disa herë më të larta se kostoja reale dhe matësit akoma nuk i ka instaluar. Arsyeja e vetme e moszgjidhjes së këtij problemi është korrupsioni që ekziston në çdo qelizë, në çdo arterie të ekonomisë së vendit, e cila zhvillohet në mënyrë spontane, pa vizion dhe pa ide për të ardhmen e afërt dhe atë të largët. Kryeministri nuk mund të shkarkojë asnjë ministër, çfarëdo që të ndodhë dhe çfarëdo që të bëhet, sepse i prishen ekuilibrat e kartonëve. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë prej kohësh duhej ta kishin vënë përpara përgjegjësisë Entin Rregullator të Energjisë, duke marrë masa për Bordin që merr vendime të tilla të paligjshme. Në qoftë se Bordi i Komisionerëve çdo vit vazhdon e merr vendime që e lejojnë kompaninë furnizuese të mos pajisë klientët e saj me matës të energjisë elektrike, i bie që faturimi i energjisë elektrike të bëhet gjithmonë aforfe dhe konsumatorët shqiptarë të mos pajisen kurrë me matës. Duke mos u mjaftuar me varfërinë që u shtohet çdo ditë, shteti lejon që ata të grabiten edhe nëpërmjet energjisë elektrike që u shet, pa të cilën nuk jetojnë dot. Janë disa qindra mijë familje shqiptare që jetojnë në pallate me ambiente të përbashkëta, të cilat vidhen edhe për energjinë që furnizon llambat që ndriçojnë shkallët. Në muajin e fundit fatura aforfe për ndriçim në ambiente të përbashkëta ishte mbi 50 kWh energji elektrike për çdo familje. Hajdutët nuk ngopen kurrë.
Tolerimi i qëndrimeve dhe veprimeve të tilla të institucioneve të këtij shteti, pikërisht nga Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit është më shumë se një përgjegjësi shtetërore, por edhe morale, sepse ishin pikërisht këta personalitete politike që kur ndodheshin në opozitë i ftonin qytetarët të mos e paguanin faturën e energjisë elektrike derisa qeveria t’i pajiste ata me matës të energjisë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›