Studenti kapet me drogë e armë
GJIROKASTER
Studenti i Infermierisë kapet me drogë e kallashnikov. Policia e Gjiro-kastrës prangosi 19-vjeçarin nga Memaliaj, Evaris Pasha, në tentativë për të kaluar në Greqi 100 kg marijuanë. Veç tij, policia shpalli në kërkim dhe tre bashkëpunëtorët në trafikun e lëndës narkotike. Gjithçka është finalizuar nga operacioni i koduar “Manastiri”. Droga, sipas burimeve të policisë, kishte si vend të origjinës fshatin Lazarat. Mësohet se kanë qenë informacionet e marra në rrugë operative për transportimin e mundshëm të një sasie lëndë narkotike, ato që kanë sjellë organizimin e operacionit të koduar “Manastiri”. Aksioni nisi rreth orës 19:00 të së premtes, kur shërbimet policore të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Policisë Kufitare kanë pikasur katër persona anës lumit Drino, në afërsi të fshatit Llongo. Ata ishin të ngarkuar me çanta dhe po lëviznin në drejtim të vijës së kufirit me shtetin grek. “Menjëherë shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, së bashku me shërbimet e Policisë Kufitare, u vunë në ndjekje të personave. Pas një ndjekje të gjatë në një terren tepër të vështirë, rreth mesnatës, shumë pranë kufirit, u bë e mundur kapja e njërit prej këtyre shtetasve. Ai ishte i armatosur me një armë zjarri tip kallashnikov me fishekë në gojë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë që bënë bllokimin e tij”, bënë të ditur burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, me armë u bllokua Evaris Pasha, student në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, në vitin e parë, dega Infermieri, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Mësohet se bashkë me studentin, është bllokuar 100 kilogramë lëndë narkotike e llojit marihuanë, e cila ishte e ambalazhuar në pako cilindrike të mbështjella me letër natriban, të futura në 4 çanta të mëdha. Ndërkaq, tre transportuesit e tjerë, të cilët janë larguar, janë identifikuar nga policia dhe janë shpallur në kërkim, por për arsye hetimi të dhënat e tyre personale nuk bëhen të ditura. “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”, është vepra penale që rëndon mbi 19-vjeçarin Pashaj, ndërsa hetimet për këtë ngjarje tashmë do të kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.