Kalmar teston Lushtakun

Skuadrës suedeze Kalmar i është bashkuar edhe një futbollist kosovar. Bëhet fjalë për sulmuesin Kushtrim Lushtaku, i cili është pjesë e skuadrës nga Bundesliga 2, Munchen1860.
Drejtuesit e Kalmarit janë në kërkim të një sulmuesi, derisa selektori i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaku, ua ka propozuar sulmuesin drenicas, i cili do të testohet për disa ditë te klubi suedez.
“Babai i Kushtrimit më ka thirr në telefon edhe më ka thënë që të shikoj për ndonjë klub në Suedi. Këtu ishin dy klube që kërkonin sulmues e njëra ndër to ishte Kalmari dhe unë ia propozova Kushtrimin”, ka thënë Bunjaku për Express.
Reprezentuesi kosovar, i cili në sezonin 2008/2009 ishte pjesë e skuadrës së Drenicës,
ka udhëtuar të mërkurën nga Gjermania në Suedi, ku i është bashkuar klubit suedez në përgatitje.
“Për këtë Kalmarin është interesant që të vijë një futbollist nga Bundesliga 2 dhe nga një klub i njohur siç është Munchen . Por, edhe për Kushtrimin besoj se do të jetë interesant të luajë këtu. Ai do të testohet për disa ditë te Kalmar, pasi këta nuk e kanë parë asnjëherë duke luajtur e pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar Bunjaku.
Selektori i përfaqësueses së Kosovës ka lavdëruar Lushtakun, por thotë se lëndimet ia kanë pamundësuar t’i tregojë vlerat e tij te klub gjerman Munchen 1860. 21 vjeçari skuadrës gjerman i është bashkuar në verën e vitit 2009, derisa kontrata e tij me këtë klub skadon në verën e vitit 2012.
Kalmarit gjatë këtij muaji i janë bashkuar mbrojtësi Alban Dragusha, mesfushori Liridon Leci, dhe sulmuesi Besnik Rustemaj, i cili ishte pjesë e akademisë së Blackburnit. Ndërsa pjesë e këtij klubi që nga viti 2008 është edhe portieri kosovar Etrit Berisha.
Nëse Lushtaku i bind suedezët, numri i kosovarëve në Kalmar pritet të rritet në pesë. Në elitën e futbollit suedez luajnë edhe disa futbollistë kosovarë, si: Agon Mhemeti, Dardan Rexhepi (Malmo), Astrit Ajdareviç, Shpëtim Hasani (Norrkoping), Denis Abdullahu (Orebro), Anel Raskaj, Guri Baqaj, Kujtim Bala (Halmstads) Adrian Gashi, (Helsingborgs) dhe Gëzim Istrefi (Gais).