E Shtunë, 31 Tetor 2026

FFK e gatshme të bashkëpunojë me klubet

Federata e Futbollit e Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë me klubet për formimin e Shoqatës së tyre, por me kusht që kjo të mos ketë prapavijë. Zyrtarët e shtëpisë së futbollit kosovar thonë se janë të hapur për çfarëdo iniciative që e çon përpara futbollin kosovar. Nga Moral Pozhegu më 20 janar 2011 në ora 13:15

Pas klubeve, edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka përkrahur formimin e Shoqatës së Klubeve, e cila është iniciativë e klubit të futbollit Prishtina.

Mirëpo, shtëpia e futbollit kosovar do të ishte pro formimit të kësaj shoqate vetëm me kusht nëse nuk ka prapavijë brenda saj. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se institucioni në të cilin ai bën pjesë është i hapur për çdo bashkëpunim që do ta çonte përpara futbollin kosovar.

“Kjo është në kompetencë të kryetarit dhe të bordit për të vendosur, por unë si sekretar mund të them se jemi të hapur për bashkëpunim me çfarëdo iniciative që e çon përpara futbollin kosovar. Së shpejti do t’i mbledhim kryetarët e klubeve dhe, nëse ka ndonjë propozim, do ta shqyrtojmë”, deklaroi ai.

“Mirëpo, duhet të dihen kompetencat e shoqatës në fjalë. Ajo mund ta mbikëqyrë për shembull Komisionin e Garave, edhe pse ky i fundit po punon si është më së miri. Mirëpo, të pretendohet diçka tjetër, ashtu siç pretendon Prishtina, nuk bëhet fjalë për një ide të tillë”, vazhdoi Salihu.

Ditë më parë, klubi i futbollit Prishtina e kishte dhënë idenë për formimin e Shoqatës së Klubeve, e cila mori përkrahje edhe nga klubet tjera të Superligës. Ato janë të gatshme ta mbështesin këtë nismë me kusht që shoqata të mos jetë kundër Federatës së Futbollit të Kosovës, por të bashkëpunojë me të për të mirën e futbollit.

Salihu i kundërpërgjigjet Muçiqit

Eroll Salihu i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të Prishtinës, Afrim Muçiqi, i cili përpos që e shpalosi propozimin e klubit që e përfaqëson për formimin e Shoqatës së Klubeve, kishte thumbuar bukur shumë edhe FFK-në, për të cilën thoshte se nuk po punon asgjë.

“Po shihet se udhëheqësit e Prishtinës kanë qëllime personale, të cilat fshihen pas formimit të Shoqatës së Klubeve. Nuk e di se si mund të thuhen gjëra të tilla kur në FFK kurrë nuk ka pasur më shumë qetësi, kurrë nuk është punuar më shumë dhe më me sukses, përkundër vështirësive që të gjithë i dimë. Ne po punojmë në të gjitha aspektet, vetëm për të ecur futbolli përpara dhe, në vend se të na përkrahin, pasi ne ishim pjesë e Prishtinës përpara tyre, në kohën më të vështirë, po na akuzojnë”, thotë Salihu i cili nuk ndalet me kaq.

“A e dini ju se çka do të thotë akuza që ka bërë Afrim Muçiqi se në futbollin kosovar ka krim të organizuar? Ne për këtë lirisht mund të organizojmë padi penale ndaj tij. Është turp që klubi i futbollit Prishtina udhëhiqet nga njerëz të tillë. Nuk ia vlen të flitet më shumë për ta”, përfundoi Salihu.

Pra, qëndrimi i FFK-së është i qartë: bashkëpunim po, por vetëm për të mirën e futbollit - pa pretendime tjera nga ana e klubeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›