E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalo: Spitalet, me borde drejtuese dhe në konkurrencë të lirë

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Standardeve në Shëndetësi, prof. Dr. Isuf Kalo, ka sqaruar dje reformën e re në shëndetësi. Sipas tij, reforma e re parashikon që spitalet të jenë me borde drejtuese dhe në konkurrencë të lirë. “E reja është që spitali do të menaxhohet nga një bord, për të hequr frymën e komandimit dhe do të ketë marrëdhënien e tregut dhe nëse spitali del me deficit, duhet të falimentojë. Kjo reformë do ecë hap pas hapi dhe natyrisht kjo autonomi është pak e limituar në kuptimin që nuk është kaotike”, – ka deklaruar Kalo, duke folur për një agjenci lajmesh. Sipas tij, spitali do të ketë një autonomi të kufizuar, në kuptimin që do të kryejë një mision të MSH-së, do të ndjekë politikat dhe do të respektojë kërkesat bazë të saj, në lidhje me hapësirat, personelin etj.

Autonomia

“Spitali nuk do të jetë fitimprurës, në kuptimin që vërtet do të jetë ndërmarrje, por nuk do të ketë qëllim të pasurohet, por ato që do të fitojë do t’i investojë përsëri, që të jetë gjithnjë e më i mirë”, – sqaron Kalo. “Në këtë drejtim, spitali do të konkurrojë, sepse nëse do të performojë më mirë dhe fitojë më shumë, do të paguajë personelin më mirë, i cili do të afrohet duke qenë i paguar më mirë dhe me këtë, do të vijnë më shumë pacientë dhe kështu do të jetë në qarkun e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë”. Profesor Kalo shpjegoi se në këtë rast do të kemi të bëjmë edhe me rritje të përgjegjësisë nga spitalet. “Reforma është në radhë të parë konceptuale, sepse për herë të parë MSH jep një nga pushtetet e saj, atë administrativ (kontrollues). Kjo jep liri vendimmarrjeje, krijon më shumë iniciativë, spitali do të ndihet më shumë përgjegjës dhe do ikim kështu nga psikologjia dhe kultura e fajësimit të të tjerëve”, – deklaroi ai.

Standardet

Për sa u përket standardeve, ai deklaroi se numri i standardeve të vendosura nga qendra që drejton është rritur nga 17 në 260 standarde, duke rritur në këtë mënyrë edhe cilësinë në shëndetësi. “Standardet janë qartësisht të shkruara, në formë elektronike, në mënyrë që spitalet që i marrin të mund t’i kuptojnë dhe t’i vetëvlerësojnë”, – shpjegoi Kalo. “Standardet janë një mjet për të matur cilësinë e performancën e institucionit. Matja nuk është qëllim në vetvete, nuk është fotografim; është matje me qëllim që të përmirësohen. Ndryshe nga tradita e inspektimit, kur inspektori shkon dhe kontrollon cilësinë, ne duam të shkojmë në një proces tjetër të përmirësimit që quhet akreditim”. Sipas tij, ky tip inspektimi në lidhje me procesin e kujdesit shëndetësor, është i dështuar, edhe pse kontrolli për zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve që janë obligim ka sens, por nëse ne duam të përmirësojmë nivelin e cilësisë së shërbimit jo vetëm në shëndetësi, por dhe më gjerë, atëherë duhet të bëjmë të qartë se çfarë quajmë të mirë. “Standardet nuk bëjnë gjë tjetër, veçse definojnë mirësinë, që është ajo që presim. Ndaj, praktika jonë e standardeve është që ato duhet të shkruhen, por dhe këtu ka një ndryshim; kush do i shkruajë ato që të mos biem në praktikën e inspektorit të mëparshëm të shëndetësisë. Pra, në procesin e standardeve duhet të përfshihen ata që i zbatojnë dhe kjo është e domosdoshme”, - shpjegoi Kalo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›