E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirësohet emigrimi, kriza botërore ul mundësitë

Kriza botërore ekonomike duket se ka ulur mundësitë e emigrimit në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo, jo për shkak të dëshirës së aspirantëve për të emigruar, për të qëndruar në vendet e tyre, por pasi vendet e BE-së kanë nisur vështirësimin e procedurave të emigrimit legal drejt vendeve të tyre. Hapin e parë e ka marrë Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërkohë që sipas medieve të huaja, pritet që edhe vendet e tjera të vazhdojnë këtë proces.

“Shkurtohen” profesionet

Gazeta britanike “The Independent” shkruan në një artikull të tre ditëve më parë se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka marrë një sërë masash për të ulur numrin e profesioneve që do të pranohen të emigrohen në Britani me anë të sistemit të ri të pikëve. “Nëse je një doktor, mësues, apo infermier dhe ke dëshirë të emigrosh në Britani, as të mos të të shkojë ndërmend” – shkruan gazeta.

Këto profesione janë vetëm një pjesë e atyre që janë deklaruar “ të panevojshme” nga qeveria britanike, pasi sipas saj, për shkak të krizës ekonomike ekziston një numër shumë i madh banorësh të vendit në këto profesione që kanë ngelur të papunë. Kështu që, emigrantët me këtoi profesione nuk i nevojiten tregut britanik të punës. Për më tepër, në Britani do të vështirësohet edhe testimi i gjuhës, pasi sipas ministrit të Emigracionit, testi aktual nuk siguron njohirët e nevojshme që i nevojiten emigruesit.

Masa të përafërta ka marrë edhe qeveria gjermane. Edhe në Gjermani nuk do të mund të emigrosh, nëse ke profesione, që tashmë u është “ulur vlera e emigrimit”. Nga kriza ekonomike botërore, në Britani dhe Gjermani numri i personave të mbetur të papunëv etëm gjatë vitit të fundit është mbi 1 milion e 300 mijë, duke bërë që situata të mos favorizojë emigrantët legalë.

Të pranueshmit

Ministria e Brendhme britanike deklaroi se ka shkurtuar 200 mijë profesione në listën e saj. “Numri i pozicioneve të pranueshme për emigrantët është ulur nga 1 milion në më pak se 800 mijë, duke siguruar, se vetëm punëtorët e huaj që ne kemi nevojë, dhe asnjë më shumë, të vijë këtu” – deklaroi departamenti në fjalë i qeverisë britanike.

Për më tepër, ulja e këtij numri është bërë edhe nga një presion i brendshëm në Britani. Kjo, pasi ligjet britanike nuk mund t`i mbivendosen ligjeve të Bashkimit Evropian. Si pasojë, Mbretëria e Bashkuar është e detyruar të pranojë emigrantë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, që kanë dëshirë të emigrojnë drejt saj. Pas zgjerimit të numrit të vendeve anëtare të BE-së, nga 15 në 27, në një hark kohor prej vetëm 5 vitesh, Britania ka pasur një fluks të konsiderueshëm emigrantësh nga vendet e reja të Bashkimit Evropian, e kryesisht nga Polonia, Rumania dhe Bullgaria.

Gjithsesi, edhe për pozicionet e pranueshme të punës kandidatët do të duhet që të plotësojnë kriteret aktuale dhe të konkurrojnë me anë të sistemit të pikëve.

Kriteret aktuale

Dy janë kriteret kryesore për të shkuar në Britaninë e Madhe në fundin e vitit 2008. Pikësëpari është e nevojshme që të keni mbaruar një shkollë të lartë, preferohet e ciklit të dytë (master), të keni njohuri në anglisht dhe të merrni një pagë vjetore ekuivalente të 40 mijë paundëve në Britani. Kjo do të thotë një pagë mesatare shqiptare, pra rreth 6 mijë paund në vit.

Shkolla

Shkolla është një ndër kriteret bazë të aplikimit për të emigruar në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mënyrë, çdokush që nuk ka përfunduar një shkollë të lartë, do ta ketë shumë të vështirë për të vijuar jetën e tij në Britani, me përjashtim të atyre që emigrojnë për të studiuar në vendin ishullor. Sakaq, aplikantët që kanë një shkollë të lartë kanë shanse të justifikuara për të emigruar.

Testi i anglishtes

Të gjithë emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar do të kenë mundësinë të përfitojnë më lehtë lejen e qëndrimit dhe nënshtetësinë britanike. Të gjithë ata që dëshirojnë të pajisen me dokumentet e mësipërme mjafton të japin provimin e gjuhës dhe të përgjigjen në disa pyetje rreth kulturës dhe temperamentit të britanikëve për të marrë vërtetimin e shumëpritur.

Të ardhurat

Një kriter tjetër i fortë ka të bëjë me të ardhurat që një aplikant për të emigruar ka në vendin e origjinës. Kjo pjesë, sipas BBC-së dhe “The Guardian”, ka të bëjë vetëm me aplikantët dhe jo me emigrantët ilegalë që duan të legalizohen. Sipas sistemit të pikëve, që do të aplikojë qeveria britanike, aplikantët duhet të nxjerrin më shumë se 40 mijë paund në vit, ose shifrën ekuivalente në vendin e origjinës.

Të kualifikuarit

“Qeveria britanike mendon se mund të plotësojë nevojat e tregut artizanal, industrial dhe bujqësor të punës, ku zakonisht kërkohen emigrantët e pakualifikuar, me punëtorë nga vendet e Bashkimit Evropian, që me përjashtim të Rumanisë dhe Bullgarisë, nuk kanë kritere për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar”, thotë qeveria britanike, duke u hequr shansin emigrimit të punëtorëve të paarsimuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›