E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrihet reparti komando për fatkeqësitë natyrore

Shkodër

Ndërsa Shkodra është përmbytur disa herë brenda këtij viti, shkrihet reparti i komandës mbështetëse rajonale e Qarkut Shkodër, e specializuar për ndërhyrje në rastesh fatkeqësish natyrore. Ndryshimi është bërë në kuadër të reformës në ushtri dhe këtë javë ka nisur zbatimi. Komanda e mbështetjes rajonale është një trup elite, e cila operon në raste evakuimesh dhe falë punës së saj u bë e mundur tërheqja me sukses e banorëve nga zonat e përmbytura të Nënshkodrës. Burime konfidenciale nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur se vendimi i shkrirjes së këtij reparti është bërë qysh në dhjetor të vitit 2009, por për shkak të përmbytjeve të këtij fillimviti, ky repart vazhdoi punën deri para një jave. Me gjithë suksesin e këtij reparti në operacionet e evakuim shpëtimit dhe një punë që u lavdërua nga drejtuesit e qeverisë, ky repart nuk është parë i arsyeshëm të vazhdojë të jetë funksional. Mësohet se reparti i komandës mbështetëse rajonale do të suprimohet duke iu bashkangjitur trupës së reagimit të shpejtë, megjithëse ndryshimi nuk është shumë efektiv. Kjo për faktin se trupat e reagimit të shpejtë operojnë kundër akteve terroriste dhe në rastet kur rrezikohet dhe cenohet rëndë siguria dhe jo për operacione shpëtimi nga përmbytjet. Të parët janë të specializuara në luftën kundër situatave që kanë të bëjnë me krime të ndryshme, ndërsa komanda e mbështetjes rajonale është specializuar dhe trajnuar nga të huajt për operacione evakuimi dhe shpëtimi në rastesh përmbytjesh, zjarresh dhe tërmetesh, por kurrsesi në luftën kundër akteve terroriste. Për më tepër, Qarku i Shkodrës dhe ai i Lezhës që mbulonte kjo trupë komando e mbështetjes rajonale, është një zonë e ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe përfshihet në zonat sizmike të Ballkanit. Kaq duhet të kishte mjaftuar që Ministria e Mbrojtjes të mos e shkrinte këtë repart. Komanda e Mbështetjes rajonale që mbulon Qarkun e Shkodrës ka qenë e krijuar në vitin 2006 dhe ka pasur në përbërje 100 trupa të stërvitura dhe trajnuara nga struktura homologe në Europën Perëndimore. Gjatë ekzistencës së tij ky repart ka kryer me sukses mbi 200 operacione të ndryshme ky më i suksesshmi ka qenë përballimi i situatës së përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës në fillim të këtij viti.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›