E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamatat mbesin të larta

Instituti GAP vlerëson se normat e kredive në Kosovë mbeten ende të larta. Problemi i madh, sipas këtij instituti, mbetet edhe raporti mes gjykatave dhe bankave të cilat janë fort të këqija. Nga Express më 12 gusht 2011 në ora 10:00

Instituti për Studime të Avancuara - GAP publikoi raportin e shtatë me radhë “Bankometri” nga monitorimi i bankave që operojnë në Kosovë.

GAP, fokusohet në marrëdhëniet banka - gjykata, të cilat i analizon në dy aspekte: se si jo efikasiteti i gjyqësorit pengon afarizmin e bankave, dhe si bankat nuk respektojnë vendimet ekzekutive përfundimtare të gjykatave.

Në këtë publikim konstatohet se gjatë periudhës 2009-2011, nuk janë vërejtur ndryshime të mëdha të normave kreditore apo produkteve bankare. Në rastet kur ka pasur ndryshime, ato nuk kanë qenë aq të mëdha sa për të bërë diferencën mes bankave.

“Normat e interesit përcaktohen nga faktorë të shumtë, e ndër themeloret janë stabiliteti ekonomik dhe politik i vendit, e që fatkeqësisht Kosova nuk qëndron në nivelin e kënaqshëm. Qeveria e Kosovës nuk po bën shumë në përmirësimin e gjendjes aktuale.

Një pjesë të fajit e bartin edhe vetë bizneset me ikjen nga tatimet, me çka po kontribuojnë në rritjen e rrezikut kreditor e cila po i mban të larta normat e interesit”, konstatohet në këtë raport.

Instituti GAP vlerëson se normat e kredive mbeten të larta edhe më tutje. Bankat e kanë të vështirë të funksionojnë në një ambient afarist dhe politik i cili nuk respekton ligjet në fuqi dhe gjykatat nuk kryejnë punën e tyre. Por në anën tjetër, edhe bankat kanë shfrytëzuar këtë ambient, duke mos respektuar vendimet e gjykatave. Marrëdhëniet banka - gjykata mbetet një nga problemet më të mëdha me te cilat përballemi në vazhdimësi. Në shtypin ditor por edhe në forume të ndryshme është diskutuar për atë se si sistemi jo adekuat gjyqësor ndikon në performancën e bankave.

Por edhe bankat ndikojnë në punën, apo efikasitetin e gjykatave. Gjykatat përballen me probleme të shumta në zbatimin e aktgjykimeve drejtuar bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare. Nga ky raport del se Instituti GAP ka vërejtur se vendimet e gjykatave që kërkojnë transferimin e mjeteve nga llogaria e debitorit (borxhliut) në llogarinë e kreditorit (borxh-dhënësit) ekzekutohen rrallë, apo fare, me gjithë faktin që këto vendime te gjykatave janë vendime definitive.

Përmirësimi i marrëdhënieve banka - gjykata do ulte rrezikun për kthimin e kredive, e cila më pas do të mund të ndikonte në uljen e normave të interesit të kredive, nga e cila do të përfitonin të gjithë qytetarët. Institucionet publike nevojiten që t’u krijojnë bankave ambient të përshtatshëm të të bërit biznes. Disa nga fushat ku nevojitet ndërhyrja e menjëhershme e shtetit janë: përmirësimi i sistemit kadastral, fuqizimi i Administratës Tatimore të Kosovës, reformimi i sistemit gjyqësor, etj.
Në anën tjetër, edhe bankat duhet të respektojnë vendimet e institucioneve shtetërore. Bankat duhet të respektojnë vendimet e organeve gjyqësore dhe këtë duhet ta bëjnë sipas udhëzimeve të vendosura nga Banka Qendrore e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›