Kuçi: Për veriun, presim përkrahje edhe nga OKB

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë të premten se sundimi i rendit dhe ligjit në veri të Kosovës fillon me kontrollin e plotë të pikave doganore, forcimin e zinxhirit komandues në Policisë së Kosovës dhe me funksionimin e gjykatave dhe prokurorive, të cilat sipas tij do bëhen me kohë dhe me aktivitete të koordinuara kujdesshëm.
Këto komente, Kuçi i bëri pas një takimi që ka zhvilluar me drejtorët e Qendrave Korrektuese dhe të Paraburgimit të Kosovës, me ç’rast tha se rendi e ligji në pjesën veriore do të fuqizohen pas vendosjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve atje.
“Rendi dhe ligji atje ka disa segmente, unë i kam thënë një herë po i përsërisë se janë tri pika kryesore. E para ka të bëjë me kontrollin e plotë të pikave doganore, çfarë kemi filluar ta bëjmë, natyrisht, pjesa e dytë ka të bëjë me forcimin e zinxhirit komandues në Policisë së Kosovës dhe e treta në funksionimin e gjykatave dhe prokurorive. Këto janë pjesë që do bëjmë me kohë, me aktivitete të koordinuara dhe gjithmonë të kujdesshëm për sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve tonë”, ka thënë Kuçi.
Dihet se deri më tani Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një herë konsultime me dyer të mbyllura për të diskutuar gjendjen e tensionuar në veri të Kosovës.
Në pritje të mbledhjes së radhës së KS të OKB-së, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi vlerësoi se veprimet e Qeverisë së Kosovës kanë qenë në përputhje të plotë me vlerat demokratike.
Ai tha se atje do të pasqyrohen ngjarjet e deritashme dhe pritet që të jepet përkrahje edhe nga Këshilli i Sigurimit për shtrirjen e rendin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës.
“Ajo çka mund të them është që veprimet tona nuk janë veprime të veçanta, janë në përputhje të plotë me kartën e OKB-së, me vlerat evropiane, vlerat euro-atlantike dhe me vlerat që secili shtet demokratik i merr brenda territorit të vetë dhe kështu besoj që do të reflektohet. Natyrisht që do të reflektohet edhe cenimi që është tentuar apo është bërë nga Serbia pjesës së territorit tonë dhe unë mendoj që problemi është më shumë në anën e Serbisë përballë Kosovës, ndërsa Kosova po ushtron të drejtën e vetë dhe presim që të kemi mbështetje nga Këshilli i Sigurimit në ushtrimin e të drejtës tonë për rend dhe lidh dhe ndarjen e dukurive negative në atë pjesë të territorit tonë, është shprehur Kuçi.
Përkrahje për të vënë rendin e ligjin në gjithë territorin e Kosovës kanë dhënë deri tani shtete me ndikim në botë. Dje edhe ministri i Jashtëm gjerman dhe zëvendëskryeministri turk kanë dhënë mbështetje të fuqishme në mbrotje të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës./kp/