E Diel, 1 Nëntor 2026

Kambisti grabitet dhe vritet në derën e shtëpisë

Dy persona qëlluan dje pasdite dy herë në bark Astrit Cubaj, teksa po futej në pallatin ku banonte, ndërsa i morën paratë


Policia tha se autorët kanë qenë dy persona të rinj në moshë. Në dispozicion 20 mijë euro për "kokën" e grabitësve

TIRANË- Grabitet dhe vritet kambisti në derën e shtëpisë së tij në kryeqytet. Autorët që besohet se janë dy të rinj, të moshës 17- vjeçare, dyshohet se kanë ndjekur viktimën deri në afërsi të shtëpisë së tij në rrugën "Komuna e Parisit" pranë kullave "HAWAI ku ai banonte, prej rreth 7 vitesh.


Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:00, kur Astrit Cubaj, 40 vjeç, është qëlluar për vdekje me tre plumba nga dy pistoleta të ndryshme, për t'i marrë atij paratë. Autorët e krimit që dyshohen të jenë dy persona të rinj në moshë kanë ndaluar kambistin për t'i grabitur paratë ndërsa dyshohet se ai ka tentuar të rezistojë çka ka sjellë reagimin e autorëve.


Dyshohet se atij i janë marë rreth 10 mijë euro, e cila merrej zakonisht në mëngjes nga shtëpia prej viktimës, në një çantë dore. Ky i fundit është qëlluar me armë në momentet që ka qenë duke hyrë në pallatin ku banonte në rrugën "Medar Shtylla", pasi sapo kishte mbaruar punën dhe po kthehej në shtëpi.


Cubaj, nga Malësia e Madhe, banues në Tiranë prej gati dhjetë vitesh, dje po kthehej në banesë, ndërsa është ndalur në njërin nga dyqanet aty pranë për të blerë një bukë dhe autorët e krimit e kanë mbajtur nën vëzhgim viktimën derisa është afruar tek hyrja e pallatit ku banonte.


Në momentet që viktima është bërë gati për të ngjitur shkallët për të hyrë në pallat është ndeshur me dy grabitësit e tij, të cilët mendohet se fillimisht i kanë kërkuar shumën e lekëve që mbante me vete.


Sipas të dhënave, autorët e vrasjes në fillim i kanë kërkuar Cubajt shumën e lekëve që mbante me vete, por kur ky i fundit ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, atëherë është qëlluar me tre plumba pistolete. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ndaj viktimës është qëlluar me dy lloj armësh të tipit pistoletë, provuar kjo nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes.


Autorët kanë shfrytëzuar faktin se hyrja e pallatit nuk ishte shumë e ekspozuar, duke iu lënë mundësinë atyre të largohen pa u vënë re nga kalimtarët jashtë apo dhe nga pronarët e disa dyqaneve që ishin të shumtë afër vendit të ngjarjes.


Viktima Astrit Cubaj, me 4 fëmijë, nga plumbat që ka marrë në bark ka humbur jetën sapo ka mbërritur në Spitalin Ushtarak. Nga të shtënat është thyer edhe një xham i një automjeti, disa metra larg vendit të ngjarjes.


Për pak minuta pas ndodhjes së vrasjes, vendi i ngjarjes u mbush me forca të shumta policie, që nisën këqyrjen e vendit të ngjarjes për të mbledhur sa më tepër prova, ndërsa viktima ishte identifikuar nga policia prej banorëve dhe më pas prej familjes së tij.


Pas ngjarjes policia ka shoqëruar disa persona, fqinjë të viktimës dhe pronarë të disa dyqaneve përreth vendit të ngjarjes, në cilësinë e dëshmitarëve. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka administruar së paku 4 gëzhoja dhe predha pistolete të qitura nga dy gryka zjarri, që sipas policisë kanë qenë pistoleta.


Pas këtyre veprimeve policia ka shoqëruar në ambientet e saj, persona të kësaj moshe të cilat më pas janë lënë të lirë nga policia pasi janë marrë në pyetje, ku është konfirmuar se nuk kanë pasur lidhje me ngjarjen.

Dëshmitarët: Vrasja e Astritit na tronditi


Banorët e lagjes, ku banonte kambisti i vrarë, pohojnë se ata kanë mbetur të tronditur nga ngjarja.


"E shihja që shkonte në punë çdo ditë me makinën e tij dhe ishte vazhdimisht fare i qetë. Nuk kemi dëgjuar që të ketë patur probleme si këtu ku banon apo dhe në punë, prandaj lajmin për vrasjen e tij më befasoi",- shprehet një fqinj i tij një burrë rreth 40 vjeç që banon në pallatin ku banonte dhe viktima.


Fqinji, një burrë i veshur me një këmishë të kuqe dhe pantallona të bardha, tregon se e ka parë të qetë në mëngjes, kur u largua për punë, ndërsa lajmin për vrasjen e tij ai e ka marrë vesh vetëm kur ka parë uniformat blu në vendngjarje.


Edhe pronarët e dyqaneve përreth pallatit ku jetonte viktima shprehen të befasuar se si kambistin e kanë vrarë me qëllim grabitjen e tij. Shumë prej tyre kishin kontakte të vazhdueshme me të dhe të gjithë shprehen se viktima ishte një njeri tepër i respektueshëm dhe korrekt me të gjithë fqinjët.


Policia: 20 mijë euro në dispozicion për informatorin

Policia e kryeqytetit, për çdo informacion për autorët e ngjarjes, vë në dispozicion shumën prej 20 mijë eurosh, duke garantuar anonimatin e atij që do të japë informacion. Kjo është bërë e ditur nga Policia e Tiranës nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ku thuhet se do të ruhet anonimati i çdo personi që do të japë informacion.


Gjithashtu Policia përveç numrit tashmë të njohur nga qytetarët ka vënë në dispozicion dhe një numër tjetër që është: 069410411, për të pritur ço telefonatë që do të jepte informacion për autorët e ngjarjes.


Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës tregojnë se autorët e krimit të rëndë, dyshohen se janë dy të rinj të moshës 16 dhe 18 vjeç, të gjatë 1.70 dhe 1.75 cm, trupa të hollë, me flokë të zinj dhe të qethur shkurt. Sipas policisë për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›