Subashi: Problemet me QV-të, zgjedhjet në rrezik
Nënkryetarja, Dëshira Subashi, tha se KQZ-ja ishte e detyruar të merrte një vendim, për shkak të kohës së shkurtër
TIRANË- Zgjedhjet e 28 qershorit rrezikojnë seriozisht të mos përmbushin standardet e kërkuara me shumë ngulm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga opinioni publik vendas.
Alarmi vjen nga numri dy i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nënkryetarja e tij, Dëshira Subashi, e cila nisur nga problematika që ka lindur ditët e fundit me qendrat e votimit, e konsideron procesin të rrezikuar.
Sipas saj, lëvizjet e papërcaktuara të vendorëve të qendrave të votimit vetëm 1 javë para datës së zgjedhjeve, kanë futur në vështirësi jo vetëm KQZ-në, por kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e procesit ditën e votimit.
Problemi për të qëndron në dy çështje: së pari, ndryshimi i qendrave në mënyrë të pakontrolluar nga krerët e qeverisjes vendore mund të sjellë ditën e zgjedhjeve që, një numër i konsiderueshëm zgjedhësish, të mos gjejnë qendrën ku duhet të votojnë dhe, së dyti, kalimi i një numri të konsiderueshëm qendrash në ambiente private, pa plotësuar ndonjë kriter, mund të ketë ndikim tek zgjedhësit.
Subashi ka bërë të ditur se KQZ-ja ka qenë e detyruar, për shkak të presionit të kohës, të bëjë një vendimmarrje të shpejtë pa kontrolluar sigurinë e informacionit, që krerët vendorë kanë sjellë për vendndodhjen e qendrave të votimit.
"KQZ-ja, me një informacion që mund ta vlerësojë skandaloz nga njësitë e qeverisjes vendore, është detyruar të bëjë një vendimmarrje, e cila për nga natyra e të funksionuarit nuk ka pasur elementet minimale të sigurisë.
Deri në ditën që të përfundojnë zgjedhjet dhe të jenë hapur qendrat e votimit që ne miratuam me këtë shpejtësi, unë sinqerisht e mbaj shqetësimin lidhur me këtë problem.
Ç'do pasqyrojë në ditën e zgjedhjeve kjo vendimmarrje e KQZ-së në këto ambiente private? Druaj të paragjykoj, po shqetësimin e kam të ligjshëm për këtë problem",- tha Subashi.
Ajo çka duket se i mbetet tashmë KQZ-së është të shpresojë se vetë forcat politike do të kenë kurajën e duhur për të administruar procesin në përputhje me standardet që kërkohen. "Uroj që politika vetë ta menaxhojë këtë situatë, sepse në fund të fundit janë përfaqësues politikë, ata që janë kryetar bashkish e komunash", - tha më tej Subashi.
Nisur nga kjo problematikë që ka shkaktuar pikërisht vendimmarrja joligjore e krerëve të qeverisjes vendore, KQZ-ja është duke menduar seriozisht për një penalizim të tyre pas zgjedhjeve të 28 qershorit, për të gjitha shkeljet që kanë bërë në lidhje me procesin elektoral.
"Çdo kusht që nuk plotëson detyrimet që ka Kodi Zgjedhor për çështjet zgjedhore, do të përbëjë një objekt të shqyrtimit të KQZ-së, për një përgjegjësi administrative, pse jo dhe penale",- theksoi Subashi. Në bazë të ligjit, kryetarët e komunave dhe bashkive duhej të dorëzonin, që para dy muajsh para publikimit të listës përfundimtare të zgjedhësve, listën e objekteve të votimit.
Afati jo vetëm që është shkelur, por vendorët kanë përcaktuar si qendra votimi 504 objekte private, shumica me dokumentacion të parregullt dhe në pronësi militantësh partiakë.