E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamenicë, ndihmohen të kthyerit nga vendet perëndimore

Zyrtarja për kthim dhe riatdhesim në Komunën e Kamenicës, Teuta Kastrati deklaroi në takimin e Komisionit komunal për riatdhesim, se kohëve të fundit nga vendet e Evropës perëndimore janë kthyera tri familje. Familja 5 -anëtarëshe e Xhafer Avdullahut, nga fshati Koretin, është kthyer nga Belgjika, ajo e Nakshije Kryeziut, pjesëtare e komunitetit rom, është kthyer nga Suedia dhe familja e QEnan Kryeziut, po ashtu nga komuniteti rom.

Zyra komunale për komunitete dhe kthim, pasi i njoftoi anëtarët me kërkesat e këtyre familjeve të kthyera, kërkoi që ato të mbështeten me ndihmat e kërkuara brenda mundësive, raporton Rajonipress.

Komisioni për këtë familje ka ndarë pako ushqimore dhe higjienike, lëndë djegëse, akomodim urgjent, si dhe ka shqyrtuar kërkesën për ndërtimin e një shtëpie, pasi familja e Xhafer Avdullahut i plotëson kushtet për kërkesën e parashtruar.

Familja e Nakshije Kryeziut në fakt ka vetëm një fëmijë dhe ai i paregjistruar. Kjo familje me dy anëtarë është vendosur në fshatin Berivojcë, në shtëpinë e babait të saj. Kryeziu ka kërkuar që fëmija t’i regjistrohet në librin amë dhe të ndihmohet me pako ushqimore dhe higjienike, si edhe me lëndë djegëse.

Ndërkaq, familja e tretë, me pesë anëtarë, nga të cilët një fëmijë me sëmundje mentale, që momentalisht gjendet në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, është udhëzuar që të ndihmohet me pako ushqimore, higjienike, barna dhe me lëndë djegëse../Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›