E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionati i gabimeve

Kampionati botëror 2010 është në kaos. Nuk bëhet fjalë për probleme në çështjet organizative, meqë Afrika e Jugut deri më tani është vlerësuar si nikoqir “perfekt” nga FIFA, mirëpo problemi qëndron në fushë.

Gjyqtarët janë në qendër të vëmendjes me gabimet e tyre skandaloze. Qysh prej takimeve të para të fazës së grupeve, përveç topit Jabulani, filloi të flitej për gabime të gjyqtarëve, mirëpo ajo që ndodhi në vazhdim vështirë se ishte imagjinuar nga dikush.

E diela solli emrat e dy çerekfinalistëve të dytë; Gjermanisë dhe Argjentinës, mirëpo takimet e tyre kundër Anglisë, respektivisht Meksikës, u përshkuan me gabime të rënda të gjyqtarëve.

Gjermania shkatërroi Anglinë 4-1, ndërsa Argjentina mposhti Meksikën 3-1, duke siguruar përballjen e tyre në çerekfinale në Cape Town më 3 korrik. Por, të dyja takimet ishin të tensionuara për shkak të momenteve të debatueshme.

Selektori i Anglisë, Fabio Capello, ka kritikuar gjyqtarin uruguaian Jorge Larrionda, derisa ekipi i tij u eliminua me turp. Frank Lampard shënoi një gol të rregullt, i cili nuk u pranua nga gjyqtari Larrionda kur Anglia ishte në disavantazh 2-1 para pjesës së parë.

Me Anglinë në sulm, mesfushori e paraboloi portierin Manuel Neuer, topi qëlloi transversalen dhe ra në tokë brenda vijës së portës para se të kthehej jashtë. Çuditërisht, Larrionda sinjalizoi që loja duhet vazhduar, ndërsa Thomas Mueller shënoi dy herë brenda katër minutave në pjesën e dytë dhe përfundoi punën.

“Anglia ka gabuar në lojën e saj, por gabimin më të madh e bëri gjyqtari”, tha Capello.

Ndërsa Lampard ka insistuar se ka ardhur koha që futbolli të kërkojë ndihmën e teknologjisë në momentet e diskutueshme.

“Unë përkrahi ndihmën e teknologjisë në vijën e portës, e sidomos pas ndeshjes së sotme”, tha mesfushori i Chelseas.

“Topi e kishte kaluar vijën, ishte brenda dhe kjo dukej qartë. Nëse do të kishim barazuar në 2-2 në atë moment, do të përfundonte ndryshe”, shtoi ai.

Ndërsa në Johannesburg, dy gola nga Carlos Tevez dhe një tjetër nga Gonzalo Higuain i siguruan Argjentinës kalimin në çerekfinale. Mirëpo, goli i parë i Tevezit u shënua nga një pozitë e thellë jashtë loje në momentin kur ai ishte shërbyer nga Lionel Messi.

Mbrojtja meksikane protestoi ashpër, por gjyqtari italian Roberto Rosseti e pranoi golin në minutën e 26-të, pavarësisht zemërimit që shkaktoi xhirimi i përsëritur në ekranet gjigante në Soccer City. Selektori i Meksikës, Javier Aguirre, tha se gabimi i kushtoi shtrenjtë ekipit të tij.

“Pranuam një gol nga pozita jashtë loje dhe kjo e bëri dallimin vendimtar në takim”, tha ai.

FIFA refuzon teknologjinë

FIFA ka refuzuar thirrjet për shfrytëzimin e teknologjisë, pavarësisht dy incidenteve të rënda në dy ndeshjet e fazës së dytë të Botërorit (Anglia-Gjermania, Argjentina-Meksika).

Gjatë një konference për shtyp në Johannesburg, sekretari gjeneral i FIFA-s, Jerome Valcke, ka thënë se përdorimi i teknologjisë “nuk do të hidhet në tavolinë” dhe shtoi se sistemi “zero-gabime” nuk ishte i mundshëm.

“Mund të flasim për vendimet e gjyqtarëve, të cilat nëse i analizoni pas ndeshjes mund të mos jenë të drejta. Mirëpo, ne nuk kemi thënë se do të kemi sistem zero-gabime në Botëror. Gjyqtarët shtesë mund të vijnë më 2014 për të siguruar se këto raste nuk përsëriten gjatë ndeshjeve. Nuk nënkupton përdorimin e xhirimeve, që nuk është pjesë e diskutimeve, por një gjë tjetër për të cilën jemi duke biseduar janë dy gjyqtarët shtesë në ndihmë të vendimeve të tilla. E kemi ditur se prej këtu do të vijnë kritika”, deklaroi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›