E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet lavdia e Kupës së Mbretëreshës

Vetëm një skuadër e Premier Ligës mbërriti në gjysmëfinale të Kupës FA, një rast i rrallë në të gjithë botën

Katërshja e madhe është në gjunjë. Kupa e Mbretëreshës, apo Kupa e Anglisë, e rifitoi shkëlqimin e dikurshëm këtë fundjavë, me Portsmuthin që eliminoi Mançester Junajtid, Barnslin që flaku tej Çelsin trofembajtës dhe Karditi mposhti me meritë Midëllsbroun. Vetëm një skuadër e Premier Ligës mbërriti në gjysmëfinale të Kupës FA, një rast i rrallë në të gjithë botën. “Historia e Barnslit në Kupë do të përfundojë këtu”, - u shpreh kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, para takimit, dukshëm me mospërfillje për modestët që kishin eleminuar Liverpulin. Por ai gaboi. Barnsli e kishte mundur një herë Çelsin në Kupë, 4-0 më 1989, duke fituar të vetmin duel deri të shtunën. Tashmë, Xhon Terri nuk ka çfarë të thotë sepse Barnsli kryeson me kualifikime ndaj bluve 2-0. Kapiteni i Anglisë duhej të mbante në mendje se ekipi i tij kishte fituar vetëm 5 nga 16 ndeshjet në atë fushë në të gjithë historinë, madje duke u mundur 6 herë. Kupa është diçka vërtet e veçantë, themeluar më 1871, atëherë kur as nuk mendoheshin të lindnin Roman Abramoviçi, Hiks e Xhillet apo pronarët amerikanë të Man.Junajtid. Ajo ka një kulm të pambërritur kurrë më, në vitin 1901 kur Totenham Hotspuri, atëherë skuadër e kategorisë së gjashtë e fitoi. Në Angli skuadrat deri në kategorinë e pestë quhen “ekipe të Ligës” sepse bëjnë pjesë në ligën profesioniste. Totenhami ishte jashtë asaj lige, por ishte një nga 731 ekipet që luajnë çdo sezon për trofeun e artë. Barnsli e ka fituar një herë Kupën e Anglisë, më 1912, ndërsa arriti finalen më 1910, porse heroi i sotëm quhet Kajode Odexhaji (Kayode Odejayi). Ky shënoi me kokë në pjesën e dytë pas një krosimi të shkëlqyer të Martin Devënejt nga e djathta. Kaq i fortë ishte Barnsli saqë hungarezi Ishtvan Ferençi goditi edhe shtyllën, ndërsa Çelsi pati vetëm një rast me anë të Xho Koulit. Mbi 22 000 tifozë Hera e fundit që kjo skuadër arriti gjysmëfinalet ishte më 1912 kur edhe … e fitoi kupën. “Ne do të shkojmë në “Uembli”, - thotë shënuesi i golit, - ne e merituam fitoren madje nuk ishte prej fatit siç na ndodhi në Liverpul. Më vjen mirë që arrita të shënoj pas kaq kohësh”. Tani në gjysmëfinale janë Uest Brom, Barnsli, Kardif dhe vetëm Portsmuthi nga Premier Liga. Do t’i takojë “marinarëve” të Harri Redknapit që të mbrojnë nderin e elitës së futbollit anglez. “Dalë nga dalë gjigandët e Premierit u rrëzuan, - shkruan analisti i BBC-së, Fil Meknalti, - megjithë respektin për katërshen e madhe, Kupa e Anglisë shumë nga shkëlqimi i saj pikërisht prej këtij fakti. Veprimtaria rifitoi romancën e saj këtë sezon dhe ndeshjet në “Old Traford”, “Oukuell” dhe “Rivërsajd” ishin konfirmim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›