E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama refuzon ofertën e Hilarit

Barak Obama

Barak Obama nuk ka deshire te luaje "violine e dyte". Ai pretendon te jete vete fitimtari i zgjedhjeve presidenciale

Pas fitores së radhës në shtetin e Uajoming, me 61 % të votave, kandidati demokrat Barak Obama i ka kthyer përgjigje negative ofertës së Hilari Klinton. Senatorja e Nju Jorkut i propozoi atij pak ditë më parë një biletë të dyfishtë për në Shtëpinë e Bardhë, ku ajo të jetë presidente ndërsa ai zëvendëspresident. Por i sigurt në triumfin e tij tashmë që numëron 110 delegatë më shumë se sa rivalja Klinton, senatori me ngjyrë nuk ka aspak ndërmend të ndajë fitoren me të. “Zëvendës? Jo faleminderit” – I është përgjigjur ai ofertës së ish Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë një interviste në një stacion televiziv të rrjetit amerikan Abc, ai shprehu qartë qëllimin e tij për të qenë shefi i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë. “Nuk do të jem kandidat për zëvendëspresident sepse jam në garë për tu zgjedhur president. Kemi fituar tashmë në thuajse dyfishin e shteteve në krahasim me senatoren Klinton, duke marrë një mbështetje të madhe nga populli.”-u shpreh Obama. Por ndërkohë familja Klinton vazhdon të insistojë tek dyshja Hilari-Obama. Sipas ish presidentit Bill Klinton ata të dy së bashku do të ishin një forcë e pandalshme. Duke folur në një eveniment publik, ai i tha zgjedhësve në Misisipi, ku do të votohet nesër, se bashkëshortja e tij është e hapur ndaj mundësisë për të bërë një dyshe me Obamën. I vetmi kusht për Klintonët është që senatori me ngjyrë të pranojë numrin 2 në shtëpinë e Bardhë, pra postin e zëvendëspresidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›