Burg pa afat në spital për UFO-n
Ilir Paja
Ilir Pajës iu komunikua akuza në Spitalin Ushtarak. Tani në një repart me të plagosurin prej tij, agjentin Bledar Haxhimihalin
TIRANË - “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj policit gjatë detyrës ose për shkak të saj mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”, janë dy akuzat që drejtësia shqiptare ngriti ndaj Ilir Pajës, 35-vjeçarit të arrestuar gjatë operacionit që për pak i kushtoi jetën agjentit të policisë Bledar Haxhimali. Ditën e djeshme përfaqësuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, i komunikoi zyrtarisht dy akuzat të arrestuarit, i cli ndodhet në Spitalin Ushtarak, ku po mjekohet pas plagosjes gjatë konfrontimit me policinë. Burime nga organi i akuzës thanë për “Korrierin”, se për shkak të gjendjes shëndetësore që paraqet 35-vjeçari Paja, masa e sigurisë u zhvillua në ambientet e spitalit, nën masa të rrepta sigurie. Gjyqtarja e gatshme, përfaqësuesi i akuzës dhe pala mbrojtëse, për pak kohë kthyen në një sallë gjyqi dhomën e spitalit ku qëndron i ashtuquajtur “UFO”-ja, për t’i komunikuar Ilir Pajës masën e sigurisë. Duke ju referuar ngjarjes së katër ditëve më parë, kur i kërkuari nga katër shtete aksidentoi me automjetin tip “Fiat” një agjent policie, të cilit i rrezikoi dhe jetën, Prokuroria kërkoi nga Gjykata masën e sigurisë arrest me burg. Por tentativa e vrasjes së agjentit të policisë nuk është akuza e vetme për të cilën akuzohet Paja. Ndaj tij, sipas Prokurorisë rëndon dhe akuza e “armëmbajtes pa leje”, pasi gjatë kontrollit të automjetit është gjetur një pistoletë që i përket 35-vjeçarit. “Arma është çuar në laboratorin e kriminalistikës, nga ku do të dali nëse është shkrehur ditën e ngjarjes, ose jo”- thanë burime nga Prokuroria. Në kundërshtim me prokurorin, avokati mbrojtës i të pandehurit, kërkoi një masë më të butë sigurie, për shkak të gjendjes shëndetësore që paraqet klienti i tij, i cili ka një plumb poshtë shpatullës së majtë. Vetë Ilir Paja, i akuzuar për një sërë krimesh të rënda në Itali dhe Gjermani, ku është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një shqiptari kërkoi të përfaqësohej nga mbrojtja, duke zgjedhur të “kyçë” gojën. Gjykata, pasi dëgjoi palëve, vendosi të jap masën “arrest me burg” për 35-vjeçarin, i cili katër ditë më parë, për pak i mori jetën agjentit të njësisë së operacioneve speciale, Bledar Haxhimali. Ky i fundit ditën e djeshme u transferua për mjekim më të specializuar pranë Spitalit Ushtarak. I pandehuri dhe agjenti i policisë, ndodhen të shtruar në të njëjtin repart të spitalit, ku po mjekohen për dëmtimet e marrë gjatë operacionit për arrestimin e të superkërkuarit. Sipas burimeve nga ky spital, thuhet se gjendja shëndetësore e agjentit të plagosur në detyrë paraqitet e pak më e mirë. Ende mjekët nuk kanë vendosur nëse polici do të transportohet jashtë Shqipërisë për një mjekim të specializuar, pasi nuk janë të sigurt nëse i plagosuri është në gjendje të përballojë udhëtimin.