E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionati shqiptar, 50 milonë lekë gjoba të papaguara

Nga Molgen Bolena
Kapin thuajse 50 milionë lekë të vjetra në total gjobat e papaguara që prej shtatorit të vitit 2006, nga klubet shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre, në bazë të ndëshkimeve që janë dhënë cdo javë në kampionat. Një e dhënë marramendëse, që përvecse tregon moskokëcarje, bën të mendohet për mungesë profesionalizmi, megjithëse protagonistët e kampionatit shqiptar e konsiderojnë veten pjestarë të futbollit evropian. Për më tepër, në bazë të rregullores, lojtarët dhe drejtuesit që nuk kanë paguar gjobat, s'kanë të drejtën të marrin pjesë në aktivitetim futbollistik. E nëse do të vazhdojnë të shfaqin indiferentizëm, masa mund të rëndohet edhe më shumë, duke mbërritur deri në penalitete disiplinore. Ndër kategoritë e kampionartit, Superliga është ajo, që ka shumën më të vogël të gjobave të pashlyera, 795.000 lekë (të reja). Megjithatë janë plot 9 klube jokorrektë, me përjashtimin e vetëm të Tiranës, Partizanit dhe Vllaznisë, që duket se janë treguar të rregullt dhe të paktën në këtë aspekt japin shembullin e një klubi të vërtetë profesionist. Sidoqoftë, fakti më i spikatur është që pjesa më e madhe e detyrimeve i takon klubeve të kategorisë së dytë. Pikërisht ka shuma më të mëdha gjobash për përfaqësuesit, aq sa arrihet në një total prej plot 3.150.000 lekësh (të reja). Mbizotëron së tepërmi shifra prej 200.000 lekësh (të reja). Ndoshta nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa klubet dhe lojtarët e kësaj kategorie janë bërë vazhdimisht protagonistë të dhunës e momenteve të tensionit. Në mënyrë që dëmi të mos jetë i dyfishtë, të paktën duhet të ndërgjegjësohen për shlyerjen e gabimit, apo parregullësisë së kryer. Kështu do të shmangnin disi edhe vazhdimin e marrjes në "shënjestër". Ndërkohë. kategoria e parë qëndron në një kuotë gjobash prej 865.000 lekësh (të reja), duke qenë fare afër me shumës së Superligës. Ndonëse, në këtë kategori tërheq vëmendjen edhe numri më i vogël (15) i subjekteve, të cilët janë bërë problem. Gjithsesi, sa nuk është vonë, të gjithë ata që kanë gabuar, kanë rastin më të mirë për të larë përfundimisht hesapet me të kaluarën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›