E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa e Flamurtari më lehtë, Shqiponja e Liria vazhdojnë të befasojnë

Ejup Llumnica
Ashtu edhe sic kishim paralajmëruar, ndeshjet cerekfinale të Kupës së Kosovës, përvec Flamurtarit, i cili pati punë paksa më të lehtë në përballje me skuadrën e Kosovës, takimet e tjera patën rrjedhë shumë interesante dhe finish dramatik. Kështu, Besa e Pejës, pas një ballafaqimi shumë interesant, është dashur të djersitet shumë për ta mënjanuar skuadrën e Gjilanin me rezultat minimal 0:1. Duhet theksuar se gjilanasit sikur në takim me Trepcën '89, në disa raste u treguan mjaft të rrezikshëm, mirëpo kampionët nuk lejuan të befasohen dhe me meritë vazhdojnë luftën për trofeun e Kupës së Kosovës. Flamurtari, ashtu edhe sic cekëm më lartë, lehtë ka eliminuar skuadrën lokale Kosovën e Prishtinës, e cila njëherësh befasoi me vetë arritjen deri në këtë rreth. Ndërkaq, dy takimet e tjera kanë qenë me më shumë rivalitet dhe të paqarta. Liria ka befasuar në Vushtrri, duke e mundur Kosovën si vendëse me rezultat 2:0. Kjo, padyshim dëshmon se vushtrriasit pranverën e kanë nisur shumë keq, ata nga katër takime nuk kanë shënuar asnjë fitore, duke rrezikuar kështu, përvec mënjanimit nga garat e Kupës, edhe mbijetesën. Në anën tjetër, Shqiponja, para adhuruesve të saj nuk ka lejuar të befasohet, duke e mundur Besianën me rezultat 2:1 dhe njëherësh duke arritur suksesin më të madh në historinë e klubit, gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës. Rezultatet: Gjilani - Besa 0:1 Kosova (P) - Flamurtari 0:2 Kosova (V) - Lira 0:2 Shqiponja - Besiana 2:1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›