E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionati spanjoll java e trete

Reali i Madridit fitoi 3-0 ndaj Granadës në “Bernabeu”, një ndeshje ku pritej të merrte 3 pikët, madje me rezultat të thellë. Kristiano Ronaldo ishte autor i dy golave dhe këta ishin golat e tij të parë në këtë kampionat.
Portugezi shënoi për herë të parë në minutën e 26-të, duke përfituar edhe nga prekja që iu bë topit nga një mbrojtës i Granadës. Ky ishte goli i 150-të i Ronaldos për Realin, gjë e arritur në pak më shumë se 3 sezone.
Me të nisur pjesa e dytë, Kristiano shënoi edhe golin e dytë, shenjë e qartë e lojës së tij me nivel të lartë. Bashkë me të, më i miri në fushën e lojës ishte kroati Luka Modriç, blerja e re e madrilenëve, i cili ishte titullar duke lënë në stol gjermanin Mesut Ozil.
Sapo u mbush 1 orë lojë, Granada mbeti me 10 vetë pasi Borha Gomez doli me të kuqe për një faull ndaj Ronaldos, ndërsa çerek ore para fundit goli i tretë u shënua nga Gonzalo Higuain.
Kjo ishte një provë e rëndësishme për skuadrën e Murinjos pas fitores së Superkupës së Spanjës dhe në prag të ndërprerjes së kampionatit për t’i lënë vend ndeshjeve eleminatore të kampionatit botëror.
Në orën 21:30, u luajt edhe ndeshja më e rëndësishme e javës, Barcelona-Valencia, që përfundoi 1-0 për vendasit. Katalanasit e patën të vështirë ndonëse e nisën shumë mirë duke shënuar që në minutën e 23-të një gol të bukur me anë të Adrianos.
Në pjesën e dytë, Barça ndjeu lodhje edhe për shkak të ndeshjes së Superkupës në Madrid dhe Valencia u tregua e rrezikshme, por pa arritur të barazonte. Në minutën e 60-të Viktor Ruiz realizoi, por në pozicion jashtë loje, ndërsa në minutën e fundit ishte po ky lojtar që mund të kishte shënuar pas një goditjeje nga këndi, por gjuajti me kokë pas mbi tra.
Pas 3 javëve kampionat, Barça ka 9 pikë të plota ndaj 4 të Realit të Madridit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›