E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka frenohet perballe Shqiperise

Edhe pse janë shqiptarë, pesë futbollistët e grumbulluar nga Zvicra në dy ndeshjet e para kualifikuese të Botërorit 2014 kërkojnë të sillen si profesionistë të vërtetë dhe duan ta fitojnë sfidën e 11 shtatorit me përfaqësuesen kuqezi. Pas sulmuesi Mehmedi, këtë kërkon edhe Granit Xhaka.
“Ndeshjet e para në kualifikueset drejt Brazil 2014 i luajmë kundër Sllovenisë dhe Shqipërisë. Për mua si shqiptar i Kosovës, ndeshja me Shqipërinë është shumë e veçantë. Jemi disa shqiptarë në skuadrën kombëtare të Zvicrës, megjithatë unë dëshiroj ta fitojmë ndeshjen. Unë luaj për Zvicrën, dhe kjo është kryesorja”, ka thënë Xhaka.
Por, në rast se shënon gol, mesfushori 19-vjeçar që gjatë kësaj vere u transferua te Borusia Mynshengladbah, deklaroi se do ta frenojë entuziazmin dhe nuk do të festojë në shenjë respekti për përfaqësuesen shqiptare dhe tifozët e saj.
“Në rast se do të shënoj, me siguri që nuk do të festoj. Këtë nuk ma lejon respekti”, ka shtuar talenti shqiptaro-zviceran i futbollit, i cili edhe pse në moshë fare të re, cilësohet si një prej pikave të forta të helvetëve të drejtuar nga Otmar Hitcfeld. 
Përveç Granit Xhakës, në përfaqësuesen zvicerane për dy ndeshjet e para në Grupin E të Botërorit 2014 janë grumbulluar edhe Xherdan Shaqiri i Bajernit të Mynihut, Blerim Xhemajli e Valon Behrami të Napolit dhe sulmuesi i Dinamos së Kievit, Admir Mehmedi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›