E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil 2014 Shqiperia nis aventuren

Përfaqësuesja shqiptare ka nisur zyrtarisht fushatën drejt kualifikueseve të Botërorit 2014. Pas publikimit të listës me 24 kuqezinj që do të ketë në dispozicion, trajneri Xhani De Biazi ka folur në konferencë për shtyp përpara debutimit me Qipron në shtëpi. Edhe pse Shqipëria i ka shkatërruar 6-1 ishullorët në përballjen e fundit, drejtuesi i stolit të Kombëtares nënvijëzon se situata nuk është e njëjtë dhe mendon se puna duhet mbështetur më së shumti te gjendja fizike e skuadrës.

“Të jemi realistë. Qipro nuk është më e njëjta skuadër si ajo që Shqipëria e ka mundur 6-1. futbolli në këtë vend ka njohur rritje të madhe cilësorë në këto vite dhe nuk është rastësi që ka patur edhe skuadër në fazën finale të Champions League. Kundërshtarët janë në gjendje të mirë dhe kanë organizim mjaft të mirë të lojës. Në anën tjetër, Shqipëria nuk është më e njëjta skuadër si ajo që fitoi 6-1 me Qipron. Çfarë duhet të bëjmë në këtë ndeshje të parë kualifikuese? Duhet ta bazojmë lojën te lëvizshmëria në fushë dhe shpejtësia e manovrave. Është ndeshja e parë dhe sezoni sapo ka nisur. Duhet të mbështetemi më shumë tek gjendja fizike e lojtarëve dhe jo te aspekti teknik”.

Tekniku italian pohon se i ka studiuar mirë Qipron dhe Zvicrën, dy kundërshtarët e parë, megjithatë ai kërkon ti marrë përballjet një nga një, ndërsa thekson se Shqipëria kërkon të marrë një rezultat sa më të mirë prej debutimit.

“Përveç punës me skuadrën, miqësoreve dhe vëzhgimeve kemi patur kohë për ti studiuar të dy kundërshtarët e parë, Qipron dhe Zvicrën. Edhe pse sfida me qipriotët mund të duket e lehtë, ata janë një skuadër agresive dhe që luan me ritme të larta. Do të punojmë shumë që të premten të paraqitemi sa më mirë në fushë dhe të marrim një rezultat të rëndësishëm. I kemi gjetur pikat e dobwta të kundërshtarëve dhe këto ditë do ti shfrytëzojmë që idetë tona t’ia përcjellim skuadrës në mënyrë që të marrim rezulat”.

Shqipëria luan në shtëpi me Qipron të premten më 7 shtator, ndërsa katër ditë më pas kuqezinjtë luajnë në fushën e Zvicrës. Kjo është ndeshja e parë zyrtare e Kombëtares me de Biazin, pas 4 miqësoreve ku janë regjistruar një humbje, dy fitore dhe një barazim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›