Kampionati spanjoll
Lionel Mesi është vetëm 4 gola larg rekordit të tij në kampionatin spanjoll.
Kjo, pas dygolëshit të realizuar në portën e Betisit, në fitoren 4-2 të Barcelonës në ndeshjen përmbyllëse të javës së 34-ët.
Mesi ka shënuar 46 gola në La Liga, ndërsa rekordi i vendosur vjet është 50.
Argjentinasi hyri në fushë si zëvendësues në pjesën e dytë, por edhe kaq i mjaftoi.
Gjithsesi, ndryshe nga vjet, Leo ka luajtur vetëm 31 ndeshje, i ndaluar nga dëmtimet apo vendimet e trajnerëve për ta lënë pushim.
Barcelona e pati të vështirë, duke pësuar gol që në fillim, shënuar nga Pabon për skuadrën mike.
Aleksis Sançez barazoi në çast, por tronditja e shkaktuar nga Bajerni nuk kaloi lehtë. Perez realizoi një gol të dytë vërtet të rrallë për Betisin.
Në pjesën e dytë barazoi David Vija dhe pastaj i erdhi radha golave të Mesit.
Barcelona kryeson me 88 pikë dhe mund të shpallet kampion të mërkurën edhe pa luajtur, nëse Reali nuk mund dot Espanjolin.