Kampionët në Tiranë, Daliç të dielën me stafin e tij
Pasditen e djeshme, skuadra dinamovite është rikthyer në Tiranë, pasi ka zhvilluar ditën e mërkurë ndeshjen e kthimit për turin e parë emiliminator të Ligës së Kampionëve. Pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm me autobus, kampionët janë lënë të pushojnë. Ditën e hënë, në orën 17:30, skuadra do të dalë në stërvitje në kompleksin "Dinamo" për të vazhduar përgatitjet. Ndërkohë, trajneri Zllatko Daliç ditën e diel do të mbërrijë në Tiranë. Ndërsa me vete do të ketë dhe 3 apo 4 futbollistë të tjerë. Por në stafin e tij do të shtohen dhe një përgatitës fizik dhe një fizioterapist, të cilët janë kërkuar nga Daliç që në kontratën e firmosur me Dinamon.
Blutë, varavingo Tiranë-Mavrovë
Dinamo do të niset sërish për një minipërgatitore 1-javore në Mavrovë. Kampionët do të kryejnë një javë përgatitje, duke filluar që nga dita e hënë në kompleksin "Dinamo", dhe më 3 gusht do të niset për në Mavrovë sërish. Blutë do të qëndrojnë 1 javë në Maqedoni dhe më pas do të kthehen sërish në Tiranë, për t'u përgatitur për ndeshjen e Superkupës ndaj Vllaznisë së Shkodrës, drejtuar nga ish-trajneri i Dinamos, Agim Canaj.
Andi Lila, stërvitja e parë si bardheblu
Pas firmës në kontratë dy ditë më parë, Andi Lila dje është bashkuar me skuadrën në Ohër. Mbrojtësi kavajas është blerja më e fundit e bardhebluve dhe mësohet se është pritur mirë nga ana e stafit teknik, por edhe pjesa tjetër a skuadrës. Mbërritja e Lilës përforcon krahun e djathtë të mbrojtjes, ku luan gjithashtu edhe Entoni Pashaj, i ardhur nga Teuta këtë sezon të ri. I vetmi problem për momentin është mungesa e mbrojtësit të majtë, Abraham Alechenyt, i cili ende ndodhet në Tiranë, për shkak se nuk po merr dot vizën maqedonase.