E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërgjyshi: Vuajtëm problemet e së kaluarës

Sipas trajnerit Artan Mërgjyshi, problemet e fundit kanë ndikuar negativisht në skuadër

Skuadra dinamovite tashmë i ka thënë lamtumirë aventurës së saj në Europë, duke u mundur në të dy takimet si në Tiranë po ashtu edhe në Zenicë. Por keqardhja e pjesëtarëve të skuadrës blu qëndron në faktin se skuadra ka kaluar disa probleme jashtë fushës së blertë si ndërrimi i trajnerit, largimi i disa lojtarëve, afrimi i disa të tjerëve në një kohë shumë të shkurtër, të cilat kanë ndikuar në rezultatet e arritura deri tani. Trajneri Artan Mërgjyshi, i cili ka qenë në krye të pankinës gjatë këtij takimi, për "Sportin shqiptar" tregon arsyet e eliminimit në Zenicë. Sipas tij, Dinamo ka treguar një shpirt të lartë sakrifice, duke mbyllur kundërshtarin në portë. Por problemet e hasura jashtë fushe me largime dhe afrime lojtarësh dhe trajnerësh kanë ndikuar negativisht nga ana psikologjike në fushë me rastet e shumta të humbura nga blutë në "Bilino Polje".

- Z. Mërgjyshi, jeni të dëshpëruar për eliminimin, apo më tepër nga mënyra sesi rrodhën ngjarjet në takimin e kthimit?

- Po, hidhërimi qëndron në të dyja anët që thoni ju. E kishim përgatitur skuadrën në të gjitha aspektet për të synuar deri në fund kualifikimin, por nuk ia arritëm qëllimit. Duke parë dhe ndeshjen e parë, menduam se mund t'ia dilnim. Ne i provuam të gjitha mënyrat, por nuk ishte e thënë që të kualifikoheshim, pasi ishim edhe të pafat. U vërtetua ajo që e nisëm keq në ndeshjen e parë.

- Çfarë ka ndryshuar Dinamo nga ndeshja e parë në të dytën?

- Në radhë të parë, jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se në ndeshjen e kthimit ia kemi bërë yzmetin deri në fund, ndërsa në ndeshjen e parë kemi gabuar shumë. Rezultati i takimit të parë ka qenë tepër fatal për ne.

- Keni hedhur në fushë një formacion sulmues 3-4-3. A besuat deri në fund këtij moduli?

- Po, deri në fund të takimit kemi luajtur me këtë skemë. Edhe pas zëvendësimeve që kryem, nuk e ndryshuam atë. Me këtë skemë kemi sunduar 1/3 e mesfushës, duke mos i lënë ata të organizoheshin. Duke parë ecurinë pozitive që kishte zgjedhja jonë, nuk e pamë të logjikshme ta ndryshonim. Kundërshtarit nuk i dhamë asnjë mundësi, pasi e kontrolluam lojën në të gjithë sektorët e fushës. Patëm edhe shumë mundësi përpara portës. Përveç golit në minutën e 90-të, ata nuk bënë asgjë.

- Sipas këndvështrimit tuaj, cila ishte pika më e fortë e kundërshtarit?

- Kundërshtari nuk kishte ndonjë pikë të fortë, veç agresivitetit në mbrojtje, i cili shpeshherë i kaloi caqet sportive dhe u tolerua nga gjyqtari. Dhe një lojtar që mund ta dalloje si numri 10 Zafiroviç, ishte pika e referimit për Modricën.

- Po Dinamo a çaloi diku?

- Pika jonë më e dobët ishte mungesa e finalizimit. Patëm më shumë mundësi se ç'e kishim imagjinuar, por nuk ishim të saktë. Kjo vjen nga shumë faktorë. E para, skuadra ka pak kohë që stërvitet bashkë, vetëm Xhafaj ishte sulmues i mirëfilltë, ndërsa të tjerët ishin të adoptuar, pasi luajtëm në sulm me Tapian dhe Ahmatajn, të cilët nuk janë sulmues. Shumë lojtarë janë shfaqur përpara portës pa pasur shënjestër të mirë që nga Diop e deri tek Ahmataj.

- Po ndërrimi i trajnerëve dhe largimi i disa futbollistëve a kanë ndikuar në psikologjinë e skuadrës suaj?

- Natyrisht. Si ndërrimi i trajnerëve, po ashtu dhe largimi i disa futbollistëve, i kanë dhënë një goditje psikologjike skuadrës, e cila për mendimin tim, është shfaqur edhe në rastet e djeshme ndaj Modricës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›