E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionët shijojnë fitoren e parë

Mitrovicë, 30 gusht - Sulmuesi Enis Fetahu shënoi dy gola gjatë pjesëlojës së parë për t'i dhënë fitoren skuadrës së Trepçës me rezultat 2:1 kundër Ballkanit. Ndeshja u zhvillua të dielën në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë dhe i takoi javës së tretë të Raiffaisen Superligës.

Për kampionen në fuqi, Trepçën, kjo është fitorja e parë këtë edicion pas barazimit me Drenicën (1:1) dhe humbjes nga Trepça '89 (1:0).

Fetahu golin e parë e shënoi qysh në aksionin e parë të ekipit vendas. Liridon Ahmeti harkon për Fetahun, i cili pasi del përballë portierit Bujar Thaçi shënon golin e epërsisë. Golin e dytë sulmuesi prishtinas e shënoi në minutën e 30-të. Ai ishte i pagabueshëm nga afërsia. Aksionit i parapriu gjuajtja e kapitenit Elvis Osmani nga goditja e lirë, ndërsa topi i dëbuar nga portieri Thaçi erdhi deri te këmbët e Fetahut.

Trepça ka mundur të shkojë në pushim me epërsi prej tre golave, por Florent Sejdiu (39') me kokë qëlloi shtyllën pas harkimit të Ahmetit.

"është një fitore shumë e rëndësishme që erdhi në momentin më të duhur. Me rëndësi është fitorja jonë dhe tri pikët e inkasuara kundër një ekipi që tregoi vlera të larta këtë edicion", tha trajneri mitrovicas Gani Sejdiu.

Ballkani në minutën e 22-të regjistroi një rast të mirë, por gjuajtjen e Fitim Krushës nga distanca, e dëboi portieri Burim Sadiku.

Futbollistët therandas rezultatin e zbutën nëpërmjet sulmuesit Denis Isaja, i cili në minutën e 77-të shënoi nga afërsia pas harkimit të Pajtim Hotit.

"Jam i kënaqur me lojën e ekipit tim. Kësaj here fati nuk ishte në anën tonë. Patëm raste që nuk i shfrytëzuam, ndërsa Trepça realizoi rastet e veta. Barazimi do të ishte real, por edhe përkundër kësaj vendasit shënuan fitore me meritë", tha trajneri i Ballkanit, Adil Vokrri.

Skuadra e kthyer pas dhjetë vitesh në elitë, Ballkani, ka fituar dy ndeshjet e para.

Raiffeisen Superliga - III

Trepça - Ballkani    2:1
Besa - Prishtina    3:1
Hysi - Drenica        3:1
Vëllaznimi - Liria    2:4
Ferizaj - Flamurtari    2:2
KEK-u - Trepça '89    1:0

Në javën IV, më 1 shtator, takohen: Ferizaj - Trepça, Ballkani - KEK-u, Trepça '89 - Hysi, Drenica - Besa, Prishtina - Vëllaznimi, Flamurtari - Liria.

Golashënuesit:

2 gola: Labinot Osmani (Hysi), Fatih Karahoda (Liria), Robert Gjeraj (Ballkani)

1 gol: Azem Ahmeti, Astrit Fazliu (Prishtina), Granit çekaj, Mentor Zhdrella, Kastriot Rexha (Hysi), Elvis Osmani (Trepça), Mensur Limani (Drenica), Patrik Doqi (Ballkani), Alban Bellopoja (Flamurtari), Haxhi Zeka, Fetim Kasapi (Besa), Virtyt Hashani (Vëllaznimi), Rafet Mullallari (Liria), Berat Grabovci, Florim Berbatovci (KEK-u), Shpëtim Idrizi (Trepça '89)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›