E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga larg, për liderët e vendit tim

Një muaj në Itali, Pavia. Për mua e drejtë, po bëjë shumë krahasime, po punoj në një komunë të vogël, Suardi (si vullnetar, pjesë e sistemit evropian të të rinjve, për gjashtë muaj), komunitet ku trajtohen të miturit, por që kanë probleme më ligjin. Do të doja të shihja diçka të ngjashme edhe në Kosovë, ku të rinjtë, thyes të ligjit në forma të ndryshme, deri në vendimin e gjyqit përgatiten për një jetë normale.

Po më kujtohen disa halle që na përcjellin dhe që në forma të ndryshme i shprehim mes vete, por assesi kundrejt adresës së duhur: “Ndoshta se nuk di të përulem, ndoshta se nuk mundem të qeshem edhe kur s´më qeshet, ndoshta edhe konflikt gjeneratash e frikë e madhe, ndoshta, ndoshta.., pastaj, hyri në punë pasi pagoi, hyri në punë pasi ka dajën, dhëndrin...”. Këtë e thoshin shumë të rinj, disa nga të cilët tani kanë lëshuar Kosovën, e shumë më shumë janë ende në pritje.

Shëtitjet në një vend të huaj janë të natyrshme, pyetjet për vendet më interesante për vizitorë janë të shpeshta. Tabelat tregonin çdo gjë. Italia - shtet i vjetër dhe këtë e dëshmon historia, por e sheh me sy dhe e prek më dorë. Do të doja që edhe vendi im, Kosova, të kishte më shumë mundësi që do ta bënin një italian, gjerman apo një tjetër të huaj ta vizitonte atë, qoftë edhe vetëm për një kullë apo muze të plotë e argumentues.

Një nga gjërat interesante për t’u vizituar këtu, pa dyshim janë kishat e kohërave të ndryshme, “Duomo-t” e rëndësishme. Por diçka jo shumë të vjetra dhe që vizitoheshin ishin disa “kala” (kështu i quanin), por që nuk ishin sikur Kalaja e Krujës, të cilën ne e mësojmë në histori dhe që çdo shqiptar e viziton disa herë gjatë jetës së tij, ku është bërë luftë më armët e kohës. Këto “kala” ishin ndërtesa të mëdha, më arkitekturë të veçantë, shumëkatëshe, me oborr të gjerë e të rregulluar shumë mirë, natyrisht edhe me sistem sigurie të kohës.

Koha ka ndryshuar, ka ndryshuar edhe roli i këtyre “kalave” të famshme. Sot ato janë pjesë e historisë dhe pranojnë shumë  njerëz nga e gjithë bota, meqë i kanë dyert e hapura dhe konsiderohen ndër objektet më të vizituara. Një “kala” e tillë është në Pavia (Visconti), një e madhe, e famshme dhe shumë e vizituar në Milano (Sforza), një tjetër në Florence (Medici) e të tjera që gjenden në mbarë Italinë. Këto “kala” që më kanë bërë t’i vizitoj disa herë kanë simbolizuar forcën e familjeve. Sa më të mëdha ishin “kalatë” aq më të fuqishme kanë qenë familjet. Në Pavia një italian më tha: Përpara në kohë kanë vendosur se kush do të vijë në pushtet, pra, njerëz të fuqishëm e më ndikim. Ndërsa, një italiane në Milano më tha: Këto familje kanë martuar bijtë dhe bijat mes vete dhe ka ndryshuar çdo gjë.

Por, lidhja që më bëhet me “kalatë” këtu në Pavia e në qytete tjera, të mëdha e të vogla, madje edhe në fshatra është se e njëjta po ndodh në shekullin XXI në vendin tim, në Kosovë. Pas luftës në Kosovë, në fund të shek. XX, njëjtë kemi përjetuar edhe ne. Liderët tanë, sot pozitë apo opozitë, më duket se shumë mirë e kanë imituar këtë që dikur ka ndodhur në Itali. Ata (liderët) dallojnë shumë nga shoqëria kosovare, kanë ndërtesa të mëdha dhe çdo qytetar e dëgjon duke thënë, kjo është shtëpia e Ramushit, kjo ka qenë shtëpia e Thaçit, por tani është duke ndërtuar një të re, këtu po ndërton ai i LDK-së, Daci ka vilë, këtë ministri, këtë zv. ministri... dhe pikërisht Kosova, në rrotacion, udhëhiqet nga këta liderë, sepse ata kanë krijuar fuqinë. Ndoshta, dikush do të duhej të na jepte një përgjigje se kush është pronari i shumë ndërtesave të larta kolektive, banesore e afariste!? Janë bashkuar edhe këta (liderët tanë) pasi të gjithë kanë qenë pjesë e pushtetit, secila parti e madhe në Kosovë ka provuar të qenët në qeveri përmes koalicioneve, shpesh edhe të çuditshme, nëse kujtojmë zgjedhjet e para apo të dyta lokale e nacionale.

Në kundërshtim me “kalatë” në Milano, Pavia dhe vende të tjera, tash muze dhe të hapura për vizitorë të vendit e të huaj, kjo nuk do të ndodhë me ndërtesat luksoze të liderëve tanë, të cilat mbeten pasuri për fëmijët, nipërit, për pasardhësit e tyre, të cilët përjetësisht, do të jenë disa hapa para shoqërisë kosovare si tërësi. Ata janë të bashkuar në këtë pikë dhe sërish do të bashkohen. Vështirë të thuhet nëse sistemi demokratik institucional, verdikti i popullit apo krejt një formë tjetër i ka bërë të tillë.

Labinot Krasniqi, vullnetari i parë nga Kosova në programin e EU-së “Youth in Action”, Itali, Suardi (PV)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›