E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pleqnarë me kravata

Traditës së pleqnisë, duket se po i vjen fundi. Koha kur burrat mblidheshin në Odë dhe zgjidhnin një problem, ka mundësi të mbetet vetëm në histori. Për herë të parë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, shumë probleme do të zgjidhen nga ndërmjetësuesit. Ata nuk do të jenë pleq me mustaqe, por djem të rinj me kravata. Nga Nexhmije Ahmeti më 27 shtator 2011 në ora 08:51

Pleqnarët me plisa e me mustaqe vesh më vesh, do të duken rrallë e më rrallë në odat e Kosovës. Në fakt ata janë në zhdukje e sipër dhe Odat gjithnjë e më shumë po mbesin bosh. Vendimet e atyre pleqnarëve, ndonjëherë edhe jo të drejta, tashmë shumë pak do të merren parasysh. Këta pleqnarë që kanë punuar me Kanunin e Lekë Dukagjinit e që fjala e tyre ishte ligj, shpejt do të zëvendësohen nga njerëzit me rrobe kat e me kravatë ose nga femra me taka të larta, mini-funde e flokë të rregulluara.

Të hënën, Ministria e Drejtësisë ka licencuar 87 ndërmjetësit e parë në Kosovë, dhe do të ushtrojnë me letra këtë detyrë. Ndryshimi është se këta ndërmjetës, nuk do të shkojnë nëpër oda por “të ndarë pleqni”, por këtë do ta bëjnë në zyre.

Besim Osmani është një prej ndërmjetësve të parë në Kosovës. Besimi nuk ëhstë 70 vjec, e as nuk ka plis në kokë. Ai është vetëm 28 vjeç, por me licensë, tash e tutje do të jetë një lloj pleqnari i ngatërresave ndërmjet njerëzve. Për herë të parë në Kosovës, sistemi i drejtësisë në vend bëhet edhe me ndërmjetës të tillë të cilët shihen si ndihmesë e madhe në lehtësimin e punëve të mëdha që kanë gjyqtarët.

Arsyeja që e ka shtyrë Besim Osmanin të konkurrojë për ndërmjetës, është që në formë institucionale, të ndihmojë që njerëzit në Kosovë, mos të kenë ngatërresa. Kështu së paku thotë vetë ai.

“Gjatë punës time e kam kuptuar se nuk është e rëndësishme se kush fiton dhe kush humb, por më me rëndësi është se çka do të ndodhë pastaj”, thotë Osmani për Express. Në kësi rastesh, sipas tij, gjykatat nuk përkujdesen se çka ndodhë më pas, e rëndësia e ndërmjetësimit e ka qëllimin që raportet e mira ndërmjet palëve të ruhen.

Por jo vetëm meshkujt mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve. Në mesin e ndërmjetësve që u licencuan të hënën, pati edhe shumë femra. Njëra ndër to është edhe Mejreme Halili. Ajo thotë se pa përtesë i ka hyrë konkurrimit për të qenë pjesë e këtij institucioni ligjor. Mejremja mendon se edhe popullata do ta kuptojë rolin e mirë që ka ndërmjetësimi.

“Është punë specifike e qartë e edhe popullata do të bindet se kjo mënyrë është më e mirë”, thotë ajo për Express. Zgjidhjen e këtyre rasteve, Mejremja e ilustron edhe me shembuj.

“Kur dikush ka një problem me fqinjin e tij, nuk ka nevojë fare me shku në gjykatë. I merr dokumentet prej komunës dhe vjen në komision të ndërmjetësimit. Puna jonë është ta ndihmojë atë marrëveshje dhe nëse palët janë të pajtimit, atëherë marrëveshja është e obliguar të zbatohet”, sqaron ajo detyrën që do të ketë. Një sqarim më të gjerë e jep edhe anëtari i komisionit për përzgjedhjen e ndërmjetësve të rinj, avokati Bekë Lajçi.

“Puna e tyre është zgjidhja e konflikteve jashtë gjykatave me marrëveshje ndërmjet palëve”, thotë Lajçi, i cili në komision ka përfaqësuar Odën e Avokatëve të Kosovës. Arsyeja e ndërmjetësimit, sipas tij, është shumë më efikas se puna e gjykatave, shumë më e shpejtë me shpenzime, shumë më të vogla dhe mbi të gjitha, sipas avokatit Lajçi nuk ka fitues në kuptim klasik apo juridik. “Ajo çka e dallon ndërmjetësimin ligjor nga ai tradicional është se ndërmjetësi nuk insiston, nuk merr vendime e as nuk imponon.

Qëllimi i tij është vetëm ta ndihmojë procesin”, thotë Lajçi për Express. Ai po ashtu tregon se nëse palët në konflikt nuk janë të pajtimit, institucioni nuk ka instrumente që t’i detyrojë ata, e që dallon shumë prej pleqnimit tradicional.

“Vetëm nëse arrihet marrëveshja që edhe vërtetohet në gjykatë, është obligative”, thotë Lajçi. Sipas ligjit, ndërmjetësi për palët në konflikt, në momentin që arrihet marrëveshja, këtë duhet ta përpilojë në formë të shkruar ku më pas vërtetohet në gjykatë dhe ka titullin ekzekutiv.

Licencimi i këtyre 87 ndërmjetësuesve, u bë në një ceremoni zyrtare ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, zyrtarë të Këshillit Gjyqësor, etj.
Kuçi tha se vetë ceremonia për licencimin e ndërmjetësve, është dëshmi e fuqishme se institucionet e Kosovës bashkë me partnerët ndërkombëtarë, mund të ndikojnë praktikisht dhe pozitivisht në përmirësimin e ambientit, qasjes në drejtësi dhe krijimin e besimit më të madh të qytetarëve për institucionet e drejtësisë.

I kënaqur nga kjo u shpreh edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, i cili tha se puna e ndërmjetësve do të lehtësojë edhe punën e gjykatave.

Avdyl Hoxha, në emër të ndërmjetësuesve, ka bërë apel që tash e tutje ndërmjetësimi të bëhet vetëm në bazë të ligjit.

“Unë vij prej një familje nga Juniku. Oda e Junikut, e cila është marrë me këtë lëmi, por në një mënyrë krejt tjetër, në mënyrë tradicionale dhe për herë të parë apeloj tek të gjithë ndërmjetësuesit që të gjitha ndërmjetësimet të bëhen në bazë të ligjit të aprovuar në Kuvendin e Kosovës, kurse traditën tonë të mëhershme t’ia lëmë historisë dhe t’ia lëmë punëtorëve shkencorë të merren me atë material”, tha Hoxha.

Zyre për ndërmjetësim do të ketë në të gjitha regjionet e Kosovës por jo edhe në Mitrovicë. Zyra për ndërmjetësim janë hapur në Pejë, Gjilan, Prishtinë dhe Ferizaj.
Fillimisht ndërmjetësit do të paguhen me një shumë simbolike prej 25 eurove për cdo rast ndërmjetësimi. E palët kanë të drejtë të zgjedhin kënd ta duan që ta kenë ndërmjetës për zgjidhjen e konfliktit të tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›