E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgim Suprem në privatizim

Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme po kujdeset që valët e privatizimit të mos i kalojë asnjë ndërmarrje, për të cilën ka ankesa nga palët e interesuara. Rasti i fundit është me ndërmarrjen “Metalika Ena”, e cila u hoq nga vala 52, pasi Gjykata vendosi masa të përkohshme për të. Nga Agon Sinanaj më 27 shtator 2011 në ora 08:30

Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk është më autoriteti i vetëm që vendos se kur duhet të privatizohet një ndërmarrje shoqërore.

Kjo agjenci ka hyrë nën llupën e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila po kujdeset që valën e privatizimit të mos e kalojë asnjë ndërmarrje, për të cilën paraprakisht njëra nga palët e interesuara ka ngritur kontest. Pothuajse nuk ka valë të privatizimit që ndonjëra nga ndërmarrjet të mos hiqet krejtësisht nga shitja.

Rasti i fundit është me valën 52-të të privatizimit, ku Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme vendosi masa të përkohshme për ndërmarrjen për prodhimin e enëve “Metaliku Ena”, me çka edhe AKP të njëjtën u detyrua ta largojë krejtësisht nga vala e privatizimit.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton se ka tërhequr sot nga vala 52 e privatizimit, “Ndërmarrën e Re Metaliku Ena – Fabrika e Prodhimit të Enëve SH.P.K.”. Kjo ndërmarrje ishte paraparë të privatizohej më datë 19 tetor 2011 bashkë me 24 ndërmarrje të tjera”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Arsyeja për këtë, sipas AKP-së, është vendimi i Dhomës se Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Tërheqja nga privatizimi i kësaj ndërmarrjeje është bërë për shkak se për këtë tender Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ka juridiksion mbi AKP, ka lëshuar masë të përkohshme”, është shpjegimi i AKP-së.

Ndërkaq, Express ka mësuar se këto vendime të gjykatës, të cilat janë shpeshtuar së fundi, po e ngadalësojnë punën e AKP-së, të cilës i duhet që ta presë njëherë zgjidhjen e kontestit e tek atëherë të procedojë me shitjen.

“Janë kryesisht rastet kur ankohen punëtorët e ndërmarrjeve dhe pale tjera. Normal që kjo merr kohë deri sa gjykata ta zgjidh kontestin. Kjo edhe po e ngadalëson punën që AKP të procedoj me shitjen”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, me Ligjet e reja për AKP-në dhe Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, kthimi i Fondit të Privatizimit varet kryekëput nga ajo se sa i shpejtë do të jetë procesi i privatizimit të ndërmarrjeve. Nxjerrja e këtyre ligjeve i ka dhenë Dhomës se Veçantë, edhe më shumë kompetenca, me çka shpjegohen edhe vendimet e saj për masa të përkohshme ndaj ndërmarrjeve të caktuara.

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, e mira e vetme me ndryshimet e reja në legjislacion është se e përshpejton procesin e likuidimit dhe me këtë edhe i ul shpenzimet. Ashtu siç ka qenë, vetëm shpenzimet për ta kryer këtë proces shkojnë deri në 150 milionë euro.

Veç kësaj, me ligjin e vjetër janë dashur plot 1056 ditë për likuidimin e një ndërmarrjeje, e ndoshta edhe më shumë. Tani me të renë kjo kohë është përgjysmuar, por mund të ecë edhe më shpejt, pasi me likuidimin e një ndërmarrjeje do të merren kompani që janë të specializuar në këtë aspekt.

Gjithashtu, me Ligjin e ri, Gjykata Supreme ka edhe kompetenca tjera sa i përket procesit të privatizimit. Ajo duhet t’i verifikoj një për një pretendimet e kreditorëve, dhe ato kompani që marrin izen nga Gjykata pastaj, paratë do t’i marrin nga Fondi i Privatizimit, që aktualisht peshon afër 600 milionë euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›