Muça: Ndeshja e Peqinit ka plot dyshime, duhet hetuar
Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, pasi ka parë ndeshjen mes Skënderbeut dhe Shkumbinit, ka thënë: Ky nuk është futboll
Pas deklaratës së bërë në një media sportive, ku trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, ka hedhur hijet e dyshimit për ndeshjen e luajtur në Peqin mes Shkumbinit vendës dhe Skënderbeut, dje ka folur për gazetën Sporti shqiptar, teksa i ka qëndruar sërish së njëjtës linjë, pa i hequr asnjë presje, madje ka shkuar më tej, teksa ka deklaruar se është e kotë të vijohet më tej, pasi ndeshjet janë të paracaktuara.
Vetë se si u zhvillua loja gjatë takimit në Peqin mes Shkumbinit dhe Skënderbeut, hedh mjaft dyshime. Njerëzit e futbollit e njohin mjaft mirë se kur një ndeshje futbolli luhet me dëshirë, grintë dhe luftohet në fushën e lojës. Gjithashtu, duket kur gjithçka është e vendosur para se ekipet të zbresin dhe të luajnë tapetin e blertë. Kështu që edhe ndeshja e Peqinit të dielën hedh shumë hije dyshime.
Mendoj se ndeshje të tilla duhen hetuar. Atë që e kam thënë një ditë më parë, e pranoj sërish, prandaj të shikohen me hollësi ndeshje të këtij kalibri, madje të hetohen, ka thënë dje trajneri Muça, i cili gjithë presionin për rezultatet duket sikur i ka mbajtur vetë, por njëkohësisht, duke kërkuar nga ekipi që sot të bëhet kthesa, kuptohet, duke fituar pikërisht ndaj Skënderbeut.
Por trajneri i Flamurtari ka edhe një merak tjetër, pasi dyshon se të tjera ndeshje mund të luhen si në Peqin, madje duke përmendur edhe se ku. Për mua si trajner, jo tani që jam te Flamurtari, por FSHF-ja duhet të shikojë edhe ndeshjen që korçarët do të luajnë në Krujë. Nëse ndodh sërish, ky nuk është futboll. Kështu është e kotë që ekipet e tjera mundohen kur ndeshjet janë të përcaktuara.
Të mos mundohemi kot nëse tolerohet kështu. Prandaj unë përmenda që të hetohen ndeshje të tilla, ka vijuar më tej numri një i pankinës vlonjate. Flamurtari duket se si ngushëllim do të ketë vetëm Kupën e Shqipërisë, sepse në kampionat diferenca me Tiranën kryesuese tashmë është 9 pikë, edhe pse kryeqytetasit udhëtojnë në fundjavë në Vlorë. Por edhe në kupë situata nuk duket aq komode për ekipin e Muçës.
Flamurtarit i duhet patjetër fitorja sot, pasi nëse fiton edhe Vllaznia ndaj Laçit, dy skuadrat duhet të mbetin në një kuotë pikësh, për të shkuar pastaj në Shkodër paksa më ndryshe, ku edhe barazimi do të ishte mirë. Por nëse nuk fiton sot, Flamurtarit pastaj mund ti duhej fitorja patjetër në Loro Boriçi. Por më shumë sesa renditja, tifozët vlonjatë kërkojnë hakmarrje ndaj korçarëve, madje duan një fitore të thellë, si ajo e sezonit të kaluar në fazën e parë, ku vlonjatët fituan 4-0.
Pezullohet mesfushori Semiran Çela pas një grindjeje
Sikur të mos mjaftonin barazimet e fundit, në kampin vlonjat gjërat janë tensionuar edhe më shumë. Në stërvitjen e djeshme, për shkak të një sherri, është pezulluar mesfushori i ardhur në merkaton e dimrit, Semiran Çela. Ky i fundit nuk është grumbulluar për ndeshjen e sotme, ndërsa në ditët në vijim do të diskutohet edhe nëse ky lojtar mund të përjashtohet. Kujtojmë që vetëm pak kohë më parë është larguar nga ekipi portieri Moçka, po për arsye disiplinore.
Trajneri Muça nuk fal në kësi rastesh, duke dashur që të mos i rrëshqasë situata nga duart, aq më tepër kur bëhet fjalë për grindje dhe zënka mes lojtarëve, në vend që të ketë harmoni dhe mirëkuptim. Presioni kohët e fundit ka ndikuar jo pak dhe kjo duket edhe nga ngjarja e djeshme, ku duket se vlonjatëve nuk u mbajnë më nervat.
