E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamza fitoi bindshem 2-0 ne fushen e Dinamos

Dy herë Ziambo, apo dopio Ziambo. Kamza dhunon fushën e Dinamos, vetë tempullin e futbollit shqiptar “Qemal Stafa”, me një dygolësh të sulmuesit afrikan, një dolli e ngritur në mes të Tiranës, madje me pije të huaj, jo me raki tradicionale.

Mendohej se kjo ndeshje do të ishte rasti i duhur për blutë e Farruk Sejdinit, për të nisur kthesën, por doli një shkallë më shumë në shkallën drejt greminës, drejt Kategorisë së Parë. Miqtë merituan gjithçka, duke pasur më shumë përvojë, më shumë forcë morale dhe fizike, më shumë vendosmëri, si edhe Ziambon.

Sulmuesi realizoi që në fillim, në minutën e 13-të, duke treguar se cila do të ishte rrjedha e kësaj përballjeje. Blutë, ndryshe nga ndeshjet ndaj Skënderbeut më herët, apo Shkumbinit më pas, jo vetëm nuk arritën të shënonin, por as të tregonin vlera futbolli, gjithnjë e më shumë të kërrusur nga barra e rëndë e fatit të keq që po i përndjek.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, Ziambo realizoi edhe golin e dytë, duke u koordinuar mirë për të devijuar drejt portës një top të hedhur në formë gjuajtje-krosi. Afrikani goditi me kokë, duke e kaluar topin pranë portierit të çoroditur blu.

Në pjesën e dytë, tentativat e vendasve nuk është se munguan, por përmbysja e dizavantazhit 0-2 ishte një detyrë shumë më e vështirë sesa mundësitë e vërteta të dinamovitëve.

Pas humbjes së radhës që është e pesta në 7 ndeshje, blutë janë të rrënjosur fort në vendin e fundit, madje me -1 pikë, duke qenë 5 pikë larg vendit të parafundit, Tomorit të Beratit dhe plot 8 pikë larg skuadrave të tjera më të afërta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›