E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sociedad-Real Madrid 0-1

Nuk ishte nata e Kristiano Ronaldos, por ishte nata e Realit të Madridit. Gonzalo Higuain shënoi golin e vetëm të një fitoreje të vështirë dhe tepër të rëndësishme në qytetin bask, San Sebastian, përballë vendasve të Realit të Sociedadit.

Gonzalo Higuain shënoi që në minutën e 9-të duke I shpëtuar pozicionit jashtë loje dhe duke realizuar me gjakftohtësi përballë portierit vendas.

Mjaftoi ky gol, ndonëse ndeshja pati mjaft luftë nga të dyja palët. Reali e kontrolli më së miri lojën në pjesën e parë, duke patur edhe mundësi për të shënuar golin e dytë, por pa ia arritur qëllimit.

Pjesa e dytë vazhdoi të ishte e fortë, me më shumë cilësi nga madrilenët, por edhe me më shumë përpjekje nga vendasit, që e vunë në vështirësi në ndonjë rast portierin mik, Iker Kasijas.

Skuadra e Zhoze Murinjos natyrisht ishte më e qartë në kundërsulm duke patur mundësi për ta futur në xhep suksesin pa lënë shumë dhimbje koke, ndërsa sa më shumë afrohej fundi I ndeshjes, aq më shumë rritej gjaknxehtësia.

Në përfundim, ndërsa Reali fitoi ndeshjen e radhës dhe u gdhi në krye të klasifikimit, Murinjo festoi me gjendje zemërimi, duke rrahur duart me mbrojtësin e tij, Ramos. Ishte një fitore nga ato që I pëlqejnë portugezit, me karakter dhe me vuajtje deri në sekondat e fundit.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›