E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamza i jep kreun Skënderbeut

27/03/2012  Një gol i Gjergji Muzakës (67’) dhe një dhuratë e Vllaznisë që ka ndalur Tiranën në kryeqytet kanë kthyer Skënderbeun në krye të kampionatit. Tri pikë “me vuajtje” për skuadrën e drejtuar nga Levi, që i kanë mjaftuar bardhekuqve për të parakaluar Tiranën. Megjithatë dhe Kamza meriton fjalët më të mira veçanërisht për atë çfarë shfaqi në pjesën e parë, ku në më shumë se një rast vuri në vështirësi kampionët e vendit. E pasjpegueshme rënia në pjesën e dytë që ia hapi dhe rrugën fitores së korçarëve.

Ndeshja është pritur me mjaft interes në Kamzë, ku tifozët kanë qenë të shumtë. Sa për skuadrat në fushë, trajneri De Vekis ka improvizuar në formacion, i diktuar nga mungesat e tri titullarëve, Ishka, Bytyçi e kapiteni Fatjon Tafaj të skualifikuar për shkak kartonësh. Në vend të tyre Selaci, Likmeta dhe Capa titullarë. Por edhe pse kështu, pjesa e parë ka qenë e gjitha për Kamzën. Vendasit i kanë imponuar lojën e tyre kampionëve që janë shfaqur të plogësht në fushën e lojës. Që në minutën e 8-të, Mici ka rastin më të mirë për të kaluar blutë në avantazh, por i vetëm para Shehit ngatërron gjithçka, duke humbur një rast fare të pastër. Skënderbeu nuk arrin të reagojë dhe Kamza dikton në lojë dhe rrezikon edhe me Capën (12’). Vetëm në mesin e pjesës së parë Skënderbeu kujtohet të luajë dhe në valle është vendi i parë. Por ndonëse provon disi me Radasin, lojtari më i mirë në këtë pjesë për kampionët është portieri Shehi, i cili i mohon golin edhe Malindit (30’). Minutat e mbetura të pjesës së parë janë monotone, me Kamzën gjithsesi më kërkuese në lojë dhe me Skënderbeun që dukej se mezi priste përfundimin e këtyre 45 minutave. Pjesa e dytë ka një tjetër melodi. Kjo sa për meritë Kamzës që lëshon shumë terren dhe skuadra duket e transformuar në fushë. Skënderbeu përfiton dhe fillon të shtyjë përpara në kërkim të golit. Skuadra e drejtuar nga Levi është e paqartë në lojën e vet, por e bindur se do ta gjente shpejt golin dhe fitoren. Në këtë mënyrë korcarët gjejnë golin pikërisht atëherë kur duan. Falë gabimit të mbrojtjes së Kamzës, ku dy mbrojtësit e qendrës dukeshin si të ngulur në fushë Muzaka i dalë i vetëm me Selacin e dërgon topin në rrjetë, duke kaluar Skënderbeun në avantazh (67’). Me këtë gol mbyllet dhe takimi, pasi minutat e mbetuara janë thjesht rutinë deri diku e mërzitshme. Të dyja skuadrat pajtohen me rezultatin dhe nuk marrin më mundimin të vënë në vështirësi portat përkatëse. Me rezultatin duket se janë pajtuar të gjithë, diçka e pazakontë. Por pavarësisht gjithçkaje, për Skënderbeun ato që kanë më shumë rëndësi janë tri pikët. Të lehta në letër edhe më të lehta në fushë, por shumë të rëndësishme, pasi falë hapit të gabuar të Tiranës në kryeqytet bardhekuqtë kapin vendin e parë në kampionat. Nga ana e saj Kamza duhet të ngushëllohet vetëm me 45 minutat e para, por që janë të pamjaftueshme për të dhënë pikë dhe tashmë bluve do t’i duhet të vuajnë për renditjen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›