E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë?

Pas ri shpalljes së dytë të konkursit për shef të Zyrës së BE-së në Kosovë, duket se më në fund përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Cartherine Ashton, do ta emërojë një diplomat të nivelit të lartë në këtë post që për Bashkimin Evropian thuhet të jetë “ndër më të rëndësishmit në politikën e jashtme”.

Disa burime diplomatike në BE i kanë thënë “Kohës Ditore” se ministri aktual i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zbogar, është kandidati kryesor për të marrë postin e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Ai ka konkurruar, mendojmë se është njohës i mirë i Kosovës dhe i Serbisë, gjatë punës së tij si ministër ka krijuar edhe përvojë shtesë dhe do të jetë një përfaqësues i mirë i BE-së në këtë post mjaft sfidues”, ka thënë një diplomat nga një vend i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, duke shprehur bindjen se baronesha Ashton do ta emërojë pikërisht Zbogarin në këtë post”, transmeton telegrafi.

Nëse ajo e emëron atë në postin e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, atëherë me pajtimin e vendeve anëtare të BE-së ai do të bëhej edhe përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë.

Prania e BE-së në Kosovë ende nuk e ka marrë formën e dëshiruar dhe mbetet me shumë paqartësi, ndonëse tash e sa muaj në Bruksel kërkohet zgjidhje për ta bërë këtë prani më të dukshme dhe më të koordinuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›