E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kanadaja mbështet zgjerimin e NATO-s dhe Shqipëria është në krye të listës

Kryeministri Sali Berisha ka marrë mbështetjen e plotë të Kanadasë në lidhje me reformat e nisura në vend dhe me përpjekjet e Shqipërisë për tu anëtarësuar në NATO. gjatë vizitës së tij në Kanada, Berisha u takua me krerët më të lartë shtetit si dhe më përfaqësues të biznesit, të cilëve u bëri thirrje që të investojnë në Shqipëri duke ju ofruar mundësi dhe lehtësime në procedura.

Kreu i ekzekutivit shqiptar u prit në një takim nga Kryeministri i Kanadasë, z. Stephen Harper, takim i cili zgjati shumë më tepër se sa ishte i programuar. Kryeministri kanadez tha se vlerësonte programin e qeverisë shqiptare dhe arritjet e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, politikën fiskale, reformat e ndërmarra etj.. Më tej, ai u shpreh se qeverisja Berisha është një qeverisje shumë e mirë konservatore.
Kryeministri Berisha theksoi se një nga projektet prioritare të Shqipërisë është ai i anëtarësimit në NATO dhe e njohu me realizimin e reformave që duhen përmbushur për arritjen e këtij objektivi madhor. Gjithashtu Kryeministri vleresoi kontributin e rendesishem te forcave Kanadeze per garantimin e paqes ne Afganistan.

Kryeministri Harper, pasi falënderoi dhe vlerësoi lart kontributin e Shqipërisë në NATO, dhe veçanërisht në Afganistan, nënvizoi se Kanadaja mbështet zgjerimin e NATO-s dhe se Shqipëria është në krye të listës së vendeve që kërkojnë të anëtarësohen.

Një tjetër mbështetje lidhur me reformat, kryeministri Berisha e mori edhe gjatë takimit që zhvilloi me Presidentin e Këshillit Kanadez për Atlantikun Verior, zotin Bill Graham. Me tëj ai vijoi me takimin në rezidencën qeveritare "Rideau Gate" me zv. Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin Claudio Bisognero.
Zv. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se “NATO përkrah dhe mbështet progresin e reformave në Shqipëri si dhe nxit stabilitetin e dialogut politik dhe ecurinë ekonomike të vendit.”.

Kryeministri Berisha, në vazhdim të vizitës së tij në Kanada, pati dje një mëngjes pune në rezidencën qeveritare "Rideau Gate", edhe me z.Claudio Bisognero, zv. Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha shprehu se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një nga prioritet më parësore për vendin tonë, kjo për disa arsye. "Shqipëria, si një vend i privuar për 50 vite nga liritë dhe të drejtat themeltare të njeriut, sheh tek NATO një përkrahës dhe mbrojtës të tyre në mbarë botën. Gjithashtu mbështetja e NATO-s për Kosovën dhe vendet e ish-Bllokut komunist është një tjetër aspekt pse 94% e shqiptarëve përkrahin integrimin në NATO." - u shpreh kryeministri.
NATO, tha më tej Kryeministri Berisha është një aleancë politiko-ushtarake, ndaj edhe reformat që Shqiperia po zhvillon janë në këto drejtime. "Shqipëria është një vend me pluralizëm të konsoliduar, media të lira, tolerancë fetare dhe etnike" - tha Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, zoti Bisognero e përgëzoi Kryeministrin Berisha për përparimet e Shqipërisë në këto 2 vite. Ai shtoi se reformat ku Shqipëria po punon me hapa të shpejtë janë pikërisht ato që NATO kërkon dhe vlerëson më shumë.
“Ne shohim qartësisht progrese të mëdha në arenën politike në Shqipëri, gjithashtu puna që ju po bëni me reformën zgjedhore është mjaft e rëndësishme për ne. Ne vlerësojmë edhe rritjen e buxhetit për forcat e armatosura me 2% të GDP dhe përpjekjet tuaja për ta kthyer atë në një ushtri të vogël por profesionale”, vijoi ai.
"Prioriteti që ne kemi për Afganistanin na bën t’ju jemi mirënjohës për angazhimin e ushtrisë tuaj atje edhe me operacionin “Omlete” të trajnimit."- u shpreh z.Bisognero.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për situatën delikate nëpër të cilën po ecën çështja e statusit të Kosovës dhe u ra dakord në mendimin se zgjidhja sipas Planit Ahtisaari është hapi final për paqen në Rajon dhe do krijojë baza të fuqishme për këtë paqe.
"NATO përkrah dhe mbështet progresin e reformave në Shqipëri, si dhe nxit stabilitetin e dialogut politik dhe ecurinë ekonomike të vendit tuaj" - tha z.Bisognero.
Kryeministri Berisha shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, z.Mediu, Ambasadori i vendit në Kanada, z.Besnik Konci si dhe përfaqësues të disa vendeve të Ballkanit dhe më gjerë në Asamblenë e Përgjithshme të ATA.

Kryeministri Berisha takon sportistin e mirënjohur të okeit, me origjinë shqiptare, Taj Domi

Kryeministri Berisha pati sot një takim në rezidencën qeveritare “Rideau Gate” me personalitetin e njohur në mbarë botën në sportin e okeit, me origjinë shqiptare, Ty (Taj) Domi, i cili shoqërohej nga Danny Guy, administratori i shoqërisë së njohur të kapitaleve “Salida”.

Kryeministri Berisha e përgëzoi sportistin me origjinë shqiptare për arritjet në sportin fisnik dhe burrëror të okeit, si dhe shprehu kënaqësinë për interesimin e tij dhe shoqëruesit të tij për të investuar në Shqipëri.

Kryeministri i ftoi bashkëbiseduesit të vijnë dhe investojnë në vendin tonë, si një vend me potenciale të mëdha në fushën e shfrytëzimit të mineraleve, në tekstile, në turizëm, në energji etj..

Sportisti i mirënjohur, së bashku me biznesmenin që e shoqëronte, shprehën gatishmërinë e tyre për të investuar së shpejt në përpunimin e burimeve shqiptare në minerale, si dhe në fusha të tjera.

Kryeministri Berisha i garantoi ata për mbështetjen e qeverisë dhe agjencive të saj për cilindo investitor që vjen në Shqipëri me qëllim zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›