REUTERS: Oferta për Albpetrolin sa 10 përqind e GDP-së së Shqipërisë
Vetro Energy, një konsorcium me bazë në SHBA, ka ofruar 850 milion euro për Albpetrolin, më shumë se dyfishi i vlerës për asetet e kompanisë shtetërore shqiptare të naftës, thanë këshilltarët e shitjes.
Oferta e Vetro Energy, e barabartë me 10 përqind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP), ishte një nga pesë ofertat e hapura të premten përpara një audience ku përfshiheshin edhe reporterë, përfaqësues të kompanive ofertuese dhe bordi shtetëror i rishikimit të procesit.
Duke bërë ofertën përmes konsorciumit Vetro Silk Road Equity Ltd jashtë Singaporit, Vetro Energy tejkaloi ofertën prej 790 milion eurosh të Amber Shine.
Blerësi do të fitojë të gjithë asetet mbi tokë të Albpetrol dhe të drejtën për të eksploruar dhe shfrytëzuar gazin e naftën në territorin shqiptar për 25 vjet.
Për të ëmbëlsuar më shumë marrëveshjen, qeveria i ka dhënë Albpetrol edhe të drejtën për të ndërtuar një rafineri dhe për të transportuar dhe shpërndarë gazin natyror.
Sokol Dervishaj, zëvendësministër i Ekonomisë dhe kreu i bordit të shitjes, tha se ofertat do të shqyrtohen. Ai nuk dha një datë për shpalljen e fituesit.
Bankers Petroleum e Kanadasë, që ka një marrëveshje për ndarjen e prodhimit me Albpetrol në Patos- Marinzë, ofroi 304 milion euro, kurse konsorciomi kinez Win Business ofroi 298 milion euro. JSC Gazprom Neft ofroi 52 milion euro.
Shtatë nga tetë fushat e naftës të Albpetrol drejtohen nga kompani të huaja sipas marrëveshjes së ndarjes së prodhimit. E teta, në Amonikë, operohet nga Albpetrol.