Topi firmos ligjin e Prokurorisë
Pasi mori konsensusin e PD-së dhe PS-së në Parlament vetëm disa ditë më parë, ligji i ri për prokurorinë u firmos dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i shtetit dekretoi dje ligjin e ri të prokurorisë të miratuar me 116 vota në Kuvend me konsensusin e gjerë dypalësh, PS-PD. Drafti i parë ndeshi në vërejtjet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe opozitës dhe në një rishikim të dytë u bë e mundur arritja e konsensusit mes mazhorancës dhe Partisë Socialiste. Ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, është debatuar prej tetë muajsh nga qeveria, ekspertët e Prokurorisë dhe ekspertët ndërkombëtare, të cilët ranë dakord përgjithësisht me variantin përfundimtar të sjellë nga qeveria. Kjo, siç duket, ka qenë dhe arsyeja që Partia Socialiste i dha votën pro këtij ligji, i cili ka pësuar disa ndryshime nga varianti i tij i parë i paraqitur në muajin mars, që shkonte deri tek pezullimi i prokurorit të përgjithshëm dhe prokurorëve të tjerë nëse ata gjendeshin në konflikt interesi. Rrëzimi i nenit për pezullimin e prokurorit të përgjithshëm që në korrik dhe disa ndryshime të tjera në garancitë për prokurorët kanë rezultuar në marrjen e konsensusit përfundimtar të socialistëve, të cilët, në sallën e Parlamentit pro ligjit të prokurorisë, kërkuan një reformë më komplekse për organizimin e akuzës, pasi ky hap është i pamjaftueshëm në garantimin e plotë të pavarësisë së prokurorëve. Megjithatë, ligji ka tri pika, ku Prokuroria nuk ka rënë dakord: heqja e mbrojtjes nga procedimi penal të prokurorëve, i cilësuar si imunitet për prokurorët; raportimi në Kuvend i ministrit të Drejtësisë për punën e Prokurorisë dhe rekomandimi i ministrit të Drejtësisë për të proceduar penalisht një prokuror. Pika e tretë ishte e vetmja që u mor parasysh edhe nga Komisioni i Ligjeve, i cili qartësoi kompetencën e ministrit dhe prokurorit të përgjithshëm për nisjen e procedimit penal, duke i lënë pavarësi kreut të organit të akuzës në marrjen e vendimit. Ndërsa heqja e imunitetit të prokurorëve mbeti në ligj, si një kërkesë e përkrahur edhe nga ekspertët ndërkombëtarë, pavarësisht këmbënguljes së Prokurorisë së Përgjithshme për ta mbajtur në fuqi. Nisur dhe nga konsensusi i dy partive kryesore në vend, për ligjin e Prokurorisë, kreu i shtetit nuk nguroi ta dekretonte atë. Presidenti Topi dekretoi po dje edhe ligjin për ndryshimet në Kodin Civil si dhe ndryshimet në Kodin Penal.