Kanavaro: “Liga e Kampioneve, trofeu i vetëm që mungon”

Kapiteni i Kombëtares italiane dhe mbrojtësi i Realit të Madridit, Fabio Kanavaro, përgatitet të presë Juventusin në “Bernabeu”, një nga ballafaqime më të pasura me pasion në këtë fazë të Ligës së Kampioneve. “Merenguesit” kanë nevojë për tri pikët, por këtë ëndërron edhe Ranieri për të ruajtur vendin e parë në grup. Barazimi i fundit në kampionat në fushën e Almerias i la një shije të hidhur në gojë Fabio Kanavaros dhe shumë dëshirë për të hakmarrje, aq më tepër që të mërkurën, në Ligën e Kampioneve do të luajë kundër Juventusit, duke parë që Reali i Madridit humbi 2-1 para 15 ditësh në Torino.
“Duhet të fitojmë patjetër, me 100 për qind, - tha Kanavaro, - por nuk do të jetë e lehtë pasi ata mbërrijnë me një entuziazëm të madh. Liga e Kampioneve është ëndrra ime, pasi është trofeu i vetëm që më mungon”. Edhe drejtuesit e Realit të Madridit e kanë objektiv kryesor trofeun europian, pas dy titujve rresht në shtëpi. Në shtëpinë madrilene ky do të ishte i “dhjeti”, duke parë që “kupa me veshë të mëdhenj” mungon në “shtëpinë e bardhë” që nga viti 2002.
Kanavaro flet edhe për Raulin, kapitenin simbol të Realit, duke u përpjekur të gjejë krahasime interesante me kolegun e tij bardhezi, Del Piero. “Është një shembull për të gjithë dhe nuk i kuptoj kritikat në adresë të tij, ashtu si nuk i kuptoja ato në drejtimi të Aleksit. I thoshin të tërhiqej pasi ishte i vjetër, por ndeshjet decizive i zgjidhte gjithmonë ai”.
Juve është e kaluara e Kanavaros, Napoli e ardhmja e tij. “Jam shumë i lumtur në Madrid, - vazhdoi mbrojtësi, - por të gjithë e dinë që jam një napolitan dhe dëshiroj ta mbyll karrierën time në Napoli. Megjithatë, dëshiroj akoma të luaj në nivele të larta, kështu që kur të vijë momenti i duhur do të flas me klubin dhe do të vendosim bashkë zgjedhjen më të mirë”, - përfundoi Fabio Kanavaro.
Kthehen Van Nistelroj dhe Pepe
Sulmuesi Rud van Nisterlroi dhe qendërmbrojtësi Pepe u rikuperuan nga dëmtimi dhe janë të gatshëm për Realin e Madridit në ndeshjen e Grupit H kundër Juventusit. “Ne do t’i thërrasim ata për nesër (sot)”, - tha trajneri Bernd Shuster gjatë një konference shtypi në prag të ndeshjes. “Rudi ndihet formë shumë të mirë dhe nuk ka dhimbje”, - tha Shusteri. “Por ne nuk jemi plotësisht të sigurt se si do t’i bëjmë gjërat. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë qysh nga fillimi i saj dhe ne nuk e dimë nëse ai (Van Nistelroj) do të luajë nga fillimi, apo do të hyjë në fushë gjatë ndeshjes”.
Holandezi u dëmtua në gjurin e djathtë gjatë ndeshjes kundër Juventusit në humbjen 2-1 në Torino dhe mungoi në barazimin 1-1 kundër Almerias në Primera Liga. Pepe, nga ana e tij, mori një goditje në kofshë dhe u zëvendësua në pjesën e dytë gjatë ndeshjes me Almerian.
E Marte, 30 Nentor 1999