E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanavaro lë futbollin 5 vjet pas finales së Berlinit

ITALI- Saktësisht pesë vjet nga finalja e Berlinit ndaj Francës, ku Italia mori Kupën e katërt të Botës, Fabio Kanavaro ka vendosur t’i thotë lamtumirë futbollit. Ish-kapiteni i skuadrës së kaltër, në një konferencë shtypi në Dubai, ka deklaruar se problemet me gjurin e kanë përshpejtuar largimin nga sporti. “Provova të kurohesha për periudhën e pushimeve, por kur në Majami kuptova se kisha dhimbje edhe për një vrapim të thjeshtë, kuptova se nuk mund të vazhdoja më, - deklaroi mbrojtësi napoletan. – Të parin informova presidentin e klubit. Unë do të qëndroj tek Al Ahli edhe 3 vjet, por si drejtues. Nuk do të ishte korrekte të vazhdoja me atë gju”. I rritur te klubi i Napolit, Kanavaro ka luajtur me ekipe si Parma, Inter, Juventus e Real Madrid, përpara se të shkonte tek Al Ahli. Ai ka edhe rekordin e prezencave në kombëtaren italiane, 136 të tilla. “Fabio Kanavaro është një personalitet i madh, përpara se një futbollist i madh, - deklaroi ish-trajneri i Italisë Marçelo Lipi. – Kam folur shpesh me të në telefon këto kohë. Ishte i lumtur për eksperiencën në Dubai, por ndoshta problemet fizike nuk e kanë lejuar të vazhdojë”, shtoi ai.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›