E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Studim për riklasifikimin e rrugëve

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, tha sot se në bashkëpunim me Bankën Botërore po hartohet studimi për riklasifikimin e rrjetit rrugor. Gjatë debatit nen për nen mbi p/ligjin për ngritjen e Autoritetit Rrugor, ministri Olldashi deklaroi se ky riklasifikim po ndërmerret për shkak të lëvizjeve dinamike të qytetarëve brenda terrenit, të cilat kërkojnë që edhe investimet të jenë po aq dinamike nga qeveria në infrastrukturë. Përsa i përket p/ligjit "Mbi Autoritetin Rrugor në Shqipëri", ministri Olldashi tha se ngritja dhe vënia në funksionim e këtij autoriteti synon të zëvendësojë Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Sipas tij, Autoriteti do të funksionojë sipas standardeve të BE-së dhe ka për detyrë të operojë në mënyrë të tillë në të gjitha veprimtaritë që organizon për të garantuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës si dhe të ndërmarrë studime, kërkime shkencore dhe eksperimente për eficencën, trafikun, qarkullimin dhe sigurinë rrugore. Pjesë e debatit të sotëm të këtij komisioni ishte edhe emërimi i Drejtorit të këtij Autoriteti, i cili në bazë të projektit të sjellë nga MPPTT-ja, emërohet nga Bordi. Por, Komisoni i Ekonomisë kërkoi ndryshimin e këtij neni, pasi, sipas tyre, drejtori i Entit do të zbatojë politikat e qeverisë në infrastrukture, ndaj dhe duhet të propozohet nga Ministri i PPTT si dhe të miratohet nga Kryeministri. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese do të shqyrtojë sërish nene të tjera të këtij p/ligji për ta kaluar të enjten në seancë plenare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›