Kryeministri Berisha u takua sot me një delegacion të Partisë Liberale të Kosovës
Kryeministri Berisha priti në zyrën e tij një delegacion të Partisë Liberale të Kosovës të kryesuar nga kryetari i saj zoti Gjergj Dedaj. Zoti Dedaj e uroi Kryeministrin Berisha me rastin e rimandatimit të tij në krye të qeverisë së Shqipërisë. Më tej zoti Dedaj u shpreh se angazhimi i Shqipërisë dhe i Kryeministrit Berisha në çështjen e Kosovës është mbështetur në një politikë parimore, dhe si e tillë ka gjetur një mbështetje edhe nga Partia Liberale e Kosovës. Ai theksoi se bashkëpunimi i ngushtë midis Kosovës dhe Shqipërisë është një e drejtë historike, morale dhe politike. Duke e konsideruar antarësimin e Shqipërisë në NATO, si një ngjarje madhore, zoti Dedaj u shpreh se Kosova ka shumë sfida përpara, në konsolidimin e pavarësisë, proceset integruese, apo liberalizimin e vizave. Në këtë kontekst ai u shpreh se qeveria e Kosovës po bën një punë të përgjegjshme në raport me minoritetet në vend, dhe se serbët e Kosovës po e kuptojnë realitetin e ri. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për punën e çmuar të Partisë Liberale të Kosovës si dhe u shpreh se në rreth njëzet muaj nga shpallja e pavarësisë, Kosova ia ka dalë të dëshmojë se pavarësia ishte vendimi i duhur për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kryeministri Berisha u shpreh se tashmë 63 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se priten njohje të reja. Ky është një proces i pakthyeshëm dhe për këtë kanë meritë populli dhe institucionet e Kosovës. Po ashtu, zoti Berisha theksoi se serbët po kthehen në Kosovë dhe kjo është një shenjë pozitive. “Çdo ditë në paqe dhe pa eksese e konsolidon pavaresinë e Kosovës”, - u shpreh Kryeministri. Më tej Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të projekteve të qeverisë shqiptare duke theksuar ndërtimin e të gjitha rrugëve dhe infrastrukturës që lidhen me anët e tjera të kufirit.
...