Kanceri i gjirit, evidentohen 400 raste çdo vit
Në Shqipëri kanceri i gjirit është tumori që haset me shpesh tek femrat. Ai përbën 25.6 për qind të tumoreve malinje që prekin femrat sot dhe zë vendin e parë në shkaqet e vdekjeve tek to. Në vendin tonë prej kancerit të gjirit preken çdo vit rreth 350-400 gra. Shifrat raportohen nga Ministria e Shëndetësisë. Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo grua por në ditët tona, mund të kurohet në pjesën më të madhe të rasteve, mjafton të diagnostikohet në kohë. Ky lloj tumori mund të mjekohet me sukses nëse ju e zbuloni sa më shpejt atë. Nëse ndryshimet që ndodhin në gjinjtë tuaj kapen qysh në fillim, ky është një shans shumë i mirë për ju, për një mjekim të suksesshëm. Vetëkontrolli i gjinjve një herë në muaj është metoda e këshilluar nga mjekët. Mamografia dhe ekografia janë aparaturat që diagnostikojnë në kohë problemet e gjinjve. Mamografia mund të bëhet në çdo kohë, por është mirë që femrat në moshën riprodhuese ta kryejnë mamografinë në fund të periodave. Mamografia nuk duhet të kryhet sidomos në tre muajt e parë të barrës. Në periudhën e menopauzës kryhet në çdo moment. Shumë lloje tumoresh janë kapur në faza të hershme kur ka akoma shanse për t‘u trajtuar me sukses. Gati gjysma e tumoreve të gjirit që janë gjetur nga mamografia janë akoma të vegjël dhe mund të hiqen lehtë, pa hequr gjithë gjirin dhe pa lënë shenjë. Mamografia shpëton gati 1400 jetë femrash të cilat vdesin çdo vit nga kanceri i gjirit. Megjithëse jo të gjitha tumoret që kapen nga mamografia janë të kurueshme, më tepër se 95% e grave janë në jetë dhe mirë edhe për shumë vjet mbas kapjes dhe mjekimit të kancerit.