E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, Jozefina Topalli mbyll shkollat

Fushata promovohet me mjetet e qeverisë e të shtetit dhe duke përdorur fëmijët e nëpunësit shtetëror. E ka bërë Kryeministri, në të gjitha takimet e të cilit kohët e fundit kemi parë fëmijë, po e bën tani edhe Kryetarja e Kuvendit. Mbylli shkollat, mbylli spitalet dhe të gjitha gratë nëpunëse, infermiere, mësuese "shkuan" në takimin me Kryetaren e Kuvendit. Kjo ka ndodhur katër ditë më parë, në qytetin e Beratit. Nxënësit e të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Beratit, të premten e kaluar nuk kanë zhvilluar mësim. Që në orën 10:30, të gjithë mësuesit së bashku me nxënësit e klasave që kishin nën kujdestari, janë drejtuar për në lagjen "Kala" të qytetit, ku kanë pritur Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin, e cila ka vazhduar turin e saj "Gratë për gratë". Në takimin që u zhvillua në lagjen "Kala", nuk kishte vetëm gra, por edhe fëmijë, të cilët nuk kishin hequr as çantat e shkollës nga supet. Nxënësit e Beratit janë urdhëruar të linin mësimin më 17 tetor dhe të vraponin për të pritur Kryetaren e Kuvendit. Këtë "fat" e kanë pasur të gjithë nxënësit e qytetit. Të gjitha mësueset femra vrapuan të ishin të pranishme në takim, pasi morën urdhrin për të qenë në lagjen "Kala" në orën 10:00. Bashkë me mësueset edhe nxënësit. I vetmi mësim që morën më 17 tetor 2008 të gjithë nxënësit e qytetit të Beratit ishte informacioni për turin që ka nisur Kryetarja e Kuvendit "Gratë për gratë". Kamera e "Fiks Fare" ishte në Berat përpara mbërritjes së Topallit. Në orën 10:30, gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në të gjitha shkollat 9-vjeçare e të mesme të qytetit dhe askund nuk gjetën nxënës që bënin mësim. Pra, pas orës së tretë të mësimit, sipas orarit të çdo shkolle, të gjithë kishin ikur. Që nga kjo orë shkollat ishin të mbyllura, pasi nxënësit dhe mësuesit ishin të detyruar të ndiqnin aktivitetin e kryeparlamentares. Por dyert nuk i mbyllën vetëm shkollat. Në orën 10.30, në zyrat e punës, Agjencinë e Trajtimit të Kredive, në drejtorinë arsimore nuk gjeje punonjës, sidomos nëpunëse gra. Në këto institucione gjeje tek-tuk ndonjë burrë, pasi gratë ishin nisur të gjitha me misionin për të marrë pjesë në aktivitetin e zhvilluar në qytet me rastin e ardhjes së Jozefina Topallit. Takimi u mbyll rreth orës 14.30 të po asaj dite.

Nxënës të klasave të shtata dhe të teta të shkollës "Mangalem" treguan përpara kamerës së "Fiks Fare" se kishin lënë orën e tretë të mësimit për të takuar Jozefina Topallin, ose për të marrë pjesë në koncertin që kishin organizuar për pritjen e saj. Për Drejtorinë Arsimore të Beratit është një veprim normal që mbyllen shkollat në një ditë mësimi dhe nxënësit morën pjesë në pritjen që iu bë Kryetares së Kuvendit gjatë turit të saj. Meqenëse nuk bëhej fjalë për një miting, por për një takim me gratë e qytetit dhe meqenëse një numër i madh mësuesish janë femra, si dhe kishin marrë urdhrin për të mbyllur regjistrat e të fitonin ditën e punës duke u paraqitur në lagjen "Kala", nuk kishte se si nxënësit të bënin mësim atë ditë. Për të gjithë këta drejtorë shkollash, ishte normale që nxënësit të bënin tri orë mësim atë ditë, ose gjashtë orë të ngjeshura me orar të shkurtuar, apo të mos bënin mësim fare, vetëm e vetëm që të mbushnin sheshin e lagjes "Kala".

Flet Selman Hodo, kryetari i PS-së, Berat

Mësueset u shfrytëzuan

për t‘i bërë qejfin Topallit

Për këtë ngjarje reagoi edhe dega e PS-së në Berat. Përpara shkollës "Babë Dudë Karbunara", kryetari i PS-së së këtij qyteti, Selman Hodo, dha një deklaratë, ku denonconte urdhrin e drejtorëve të shkollave dhe institucioneve të tjera, që detyroi të gjitha gratë e administratës publike dhe në mënyrë të veçantë mësueset e qytetit, të mbyllnin dyert e shkollave dhe të braktisin nxënësit. "Sot u duk qartë që prioriteti i qeverisë nuk është arsimi apo shëndetësia, por Jozefina Topalli. Mësueset e Beratit sot morën mësimin më të keq të jetës së tyre, braktisën pasionin, për shkak të dhunës shtetërore të ushtruar mbi to. Ato nesër do të shfajësohen përpara nxënësve të tyre, pasi në vitin 2008 përdoren, jo për t‘i shërbyer atdheut ose qytetit, por për t‘i shërbyer prapambetjes, injorancës, dhunimit të demokracisë e për më tepër duke bërë të lumtur një grua", deklaroi kryetari i degës së PS-së, Berat, Selman Hodo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›