E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet Kastriot Jaupi, vrau oficerin e policisë Ilir Ngresi

Ekstradohet nga Italia Kastriot Jaupi, i akuzuar për vrasjen e oficerit të policisë Ilir Ngresi. Jaupi, i njohur si një nga të "fortët" e Urës Vajgurore, ishte arrestuar disa kohë më parë në Milano, pasi Gjykata e Vlorës e kishte dënuar me "burgim të përjetshëm". Kastriot Jaupi është banor i qytetit të Beratit. Më datë 12 nëntor 1997, të pandehurit i vritet i vëllai i quajtur Ilir Jaupi gjatë një kundërveprimi me armë ndaj forcave të policisë, ngjarje kjo e ndodhur në vendin e quajtur Guri i Bardhë në Berat. Çështja në fjalë është pushuar nga Prokuroria e Lushnjës për mungesë provash. Prindërit dhe vetë Kastriot Jaupi kanë fajësuar, veç të tjerëve, edhe shefin e policisë kriminale, Ilir Ngresi. Pas këtij momenti, i pandehuri ka planifikuar aktin e hakmarrjes. Ai ka kryer disa takime personale me Ngresin për sqarimin e çështjes. Më vonë ka nisur ta provokojë, duke i dalë herë pas here përpara me makinë, duke i xhiruar gomat dhe më vonë edhe duke i dërguar kërcënime me anë të bisedave telefonike. I ekstraduari i djeshëm, në datën 7 tetor 2000 organizon vrasjen, duke i zënë pritë Ilir Ngresit dhe shoferit të tij, policit Artimond Jaupi. Ai qëllon me breshëri me armë automatike në drejtim të tyre dhe të autoveturës. Sipas vendimit, vetëm njëra nga predhat e godet në trup Ilir Ngresin dhe i shkakton një plagë tejshkuese në supin e djathtë, duke e lënë vetëm të plagosur. Për të marrë hakun e të vëllait, Kastriot Jaupi organizon planin e dytë. Ai ka shkuar shpesh në Vlorë për të mësuar banesën dhe vendin se ku qëndronte viktima, gjatë ditëve që kthehej pranë familjes, pasi ndodhej me detyrë në rrethin e Delvinës. Jaupi bashkëpunon me shtetasin Dritan Zhuka, person ky me të cilin organizon edhe vrasjen e oficerit të policisë Ilir Ngresi me datë 30 dhjetor 2000 në qytetin e Vlorës. Vrasja është kryer në një lokal në rrugën Vlorë-Skelë, afër banesës së Ngresit. Dy të akuzuarit e kanë rrethuar duke qëlluar me breshëri për disa minuta. Fakti objekt-akuzë vërtetohet për prokurorinë dhe gjykatën nga dëshmitarë të shumtë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›